Zyrtarizohet bashkëpunimi në mes të FIM dhe ProCredit Bank-Zyra Qendrore në Kosovë

02 Dhjetor 2024
SHARE

Javën që shkoi, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me zyrën qendrore në Kosovë të Bankës ProCredit. Kjo marrëveshje u bë në zyren qendrore në Kosovë të bankës ProCredit.

Në vazhdën e vënies së bashkëpunimit të fakultetit me industrinë dhe ndërmarrësinë, me qëllim të krijimit të mundësive dhe arritjen e mbështetjes për të zhvilluar dhe plotësuar aftësitë praktike të studentëve të këtij fakulteti në drejtim të fitimit të kompetencave profesionale, të dy palët kanë rënë në ujdi për pikat në vijim:

Ofrimi i praktikës me pagesë për 3-6 muaj në Departamentin e Qëndrueshmërisë së PC Bank, për dy studentë në të njëjtën kohë në Kosovë dhe në të gjitha pikat/ vendet e tjera ku operon banka ProCredit.

Sigurimi i hapësirave të  nevojshme të punës, komoditetet dhe mjetet në zyrën e PC Bank kryesore, që mund të përdoret për ligjërata dhe trajnime për student, të ofruara nga banka.

Trajnime dhe leksione mbi temat që lidhen me efiçencën e energjisë, energjinë e rinovueshme dhe fushën e qëndrueshmërisë mund të zhvillohen nga departamenti i qëndrueshmërisë në zonat e fakultetit një herë për semestër ose vit akademik.

Sigurimi i mundësive për të organizuar një vizitë edukative në parkun e PC Bank, Solar ProEnergy në Grackë të Vjetër - Lipjan, me kapacitet të instaluar prej 3 MWp e cila u jep studentëve mundësi për të parë nga afër një projekt të rëndësishëm të energjisë së rinovueshme dhe për të kuptuar strategjinë tonë mbi ndikimin në mjedis dhe qëndrueshmëri.
Ndër mundësitë që vlerësohen si të rëndësishme në kuadër të këtij Memorandum mirëkuptimi është edhe lejimi i aksesit dhe dhënien e informacionit në të dhënat e PC Bank, sipas nevojës për studime nga ana e studentëve.