Raporti i vizitës në fabrikën farmaceutike Trepharm

18 Dhjetor 2024
SHARE

Më 13 dhjetor 2024, studentët e vitit të parë dhe të dytë të nivelit Master, së bashku me profesorët Prof. Asoc. Bedri Dragusha dhe Asst. Dr. Arlinda Bresa, realizuan një vizitë studimore në fabrikën farmaceutike Trepharm në Sllatinë.

Gjatë kësaj vizite, studentët patën mundësinë të njihen me procesin e përgatitjes së ajrit për objektet me destinim të veçantë ku prodhohen produkte farmaceutike. Fabrika është e pajisur me një nga sistemet më të avancuara në rajon për ngrohje, ftohje, ventilim dhe klimatizim, duke ofruar një shembull të shkëlqyer të kompleksitetit të këtyre sistemeve. U diskutuan edhe sfidat kryesore që lidhen me instalimin, mirëmbajtjen dhe eksploatimin e këtyre sistemeve.

Gjithashtu, studentët u njoftuan me funksionalitetet e Sistemit të Menaxhimit të Ndërtesës (BMS – Building Management System), përmes të cilit bëhet rregullimi dhe mbikëqyrja e sistemeve të klimatizimit të fabrikës. Ky sistem përfaqëson një standard të lartë të automatizimit dhe efikasitetit në menaxhimin e ndërtesave të destinuara për prodhim farmaceutik.

Kjo vizitë shërbeu si një mundësi e mirë për studentët që të lidhin teorinë me praktikën dhe të zgjerohen në njohuritë për teknologjitë më të fundit në fushën e klimatizimit dhe menaxhimit të objekteve.