Historiku i Fakultetit
Bazat e themelimit të studimeve teknike, pra edhe të atyre të makinerisë, u vunë me hapjen e Shkollës së Lartë Teknike në Prishtinë, më 20 tetor 1961. Kjo shkollë kishte tri drejtime: Makinerinë, Elektroteknikën dhe Ndërtimtarinë.
Pas katër viteve të suksesshme të Shkollës së Lartë Teknike, filluan përpjekjet për hapjen e Fakultetit Teknik të Prishtinës. Kjo u bë për shkak të kërkesave të kohës, nevojave të mëdha dhe të rëndësisë së shkollimit të kuadrove të profileve të ndryshme teknike për zhvillimin më të shpejtë të industrisë së Kosovës.
Fakulteti Teknik, madje vetëm me Seksionin e Ndërtimtarisë, u hap më 9 nëntor 1965. Në këtë fakultet mësimi kishte filluar më 10 dhjetor 1965 me 138 studentë të regjistruar, të cilëve u jepnin mësim 5 mësimdhënës dhe 5 asistentë. Mësimi zhvillohej në dy salla me nga 40 vende dhe në një amfiteatër 202 vendesh.
Historiku i zhvillimit të veprimtarisë mësimore-shkencore në Fakultetin e Makinerisë mund të ndahet në gjashtë faza, që karakterizohen me disa specifika:
Faza e parë (1967-1979) përfshin periudhën prej themelimit deri në vitin 1979, kur Fakulteti Teknik u transformua në tri Organizata Themelore të Punës së Bashkuar (shkurt: OTHPB).
Faza e dytë (1979-1988) përfshin periudhën prej konstituimit të OTHPB Makineria deri në pavarësimin e plotë (ndarjen) e Fakultetit Teknik në tri fakultete, pra edhe në atë të Makinerisë.
Faza e tretë e zhvillimit (1988-1991) nis nga pavarësimi i këtij fakulteti dhe zgjat deri më 1991, kur me dhunë dhe me forcë policore serbe u morën lokalet e Fakultetit.
Faza e katërt fillon nga viti 1991, kur me vendim të organeve të Republikës së Kosovës dhe të Universitetit të Prishtinës mësimi organizohej nëpër shtëpi dhe në lokale të tjera private.
Faza e pestë është ajo e kthimit në lokalet e Fakultetit të Makinerisë, më 18.05.1998.
Faza e gjashtë është faza e tanishme kur kalojmë nga sistemi i deritashëm i studimeve në sistemin e studimeve sipas Deklaratës së Bolonjës, planprogramet e të cilit jepen në vazhdim.
Në vitin 1982 Fakulteti kaloi në objekt të ri, që ishte dedikuar për nevoja të Makinerisë, me sipërfaqe prej 11455 m2, ndërsa në janar të vitit 1985 u lëshuan në përdorim edhe laboratorët e Elektroteknikës (me 4205 m2) dhe të Ndërtimtarisë (me 5.650 m2).
Në rrethana të reja vazhdoi me hapa edhe më të shpejtë zhvillimi i gjithëmbarshëm i punës mësimore-shkencore. U përgatitën dhe u botuan një numër i madh tekstesh mësimore, dispensa, përmbledhje detyrash ose përmbledhje ligjëratash të autorizuara, me çka u plotësua boshllëku në procesin mësimor, që e kishin ndier dhe e ndienin veçanërisht studentët shqiptarë.
Më 28.09.1988 Fakulteti Teknik u transformua për herë të dytë në historikun e tij, me ç’rast u nda në tri fakultete të pavarura: Fakulteti i Makinerisë, Fakulteti i Elektroteknikës dhe Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe i Arkitekturës.
Emërtimi aktual i Fakultetit të Makinerisë është Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ndodhet në Rruga Agim Ramadani, Ndërtesa e Fakulteteve Teknike, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës.