Prof. Arbnor Pajaziti, profesor i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, edhe këtë vit ka vazhduar angazhimin e tij tradicional në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës – PISU 2026.
Në edicionin e sivjetmë, Prof. Pajaziti, së bashku me profesorin vizitor Prof. Dr. Kohei Arai nga Saga University, Japoni, ka zhvilluar ligjërata në kuadër të kursit me titull: “DX: Digital Transformation for Business – MCP (Model Context Protocol) Based RAG (Retrieval-Augmented Generation)”.
Kursi ka ofruar një trajtim të detajuar të nevojës për përdorimin e arkitekturës MCP-RAG, si dhe të metodologjisë së projektimit, zhvillimit dhe zbatimit të saj në sistemet bashkëkohore të biznesit.
Gjatë ligjëratave, studentët janë pajisur me njohuri të avancuara në fushën e analitikës parashikuese, inteligjencës artificiale, të dhënave masive – Big Data dhe arkitekturave MCP-RAG. Vëmendje e veçantë u është kushtuar koncepteve themelore, komponentëve kryesorë dhe mundësive të aplikimit të këtyre teknologjive në sistemet moderne të biznesit dhe në proceset e mbështetjes së vendimmarrjes.
Në kuadër të kursit, studentët kanë zhvilluar gjithashtu shkathtësi praktike në përdorimin e mjeteve dhe teknologjive për mbledhjen, ruajtjen, administrimin, pastrimin, përpunimin, analizimin, integrimin dhe vizualizimin e të dhënave. Ata janë njohur edhe me minierimin e të dhënave, gjuhët e përfaqësimit të të dhënave, si dhe me projektimin dhe zhvillimin e agjentëve inteligjentë të bazuar në inteligjencën artificiale dhe në arkitekturën MCP-RAG.
Kursi është ndjekur nga studentë vendorë dhe ndërkombëtarë nga vende të ndryshme, duke krijuar një mjedis të pasur akademik dhe ndërkulturor. Në përfundim të kursit, studentët kanë prezantuar projektet e tyre, të cilat janë vlerësuar me rezultate të shkëlqyeshme nga profesorët ligjërues.
