Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me AWESK

26 Nëntor 2024
SHARE

Javën që shkoi Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nënshkroi  memorandum mirëkuptimi me Shoqatën e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (AWESK), përmes së cilit parashihet një bashkëpunim reciprok, përkrahje, fuqizim dhe avansim I vajzave/grave, gjegjësisht studenteve të dhe pa diplomuara në STEM (Science, Technology, Engineering and Mathematics) dhe në sektorin e energjisë në përgjitësi.
Bashkëpunimi sipas këtij Memorandumi do të realizohet nëpërmjet:

- Sesioneve Informuese për promovimin dhe orientimin në karrierë për studentet e FIM në fushat e Energjisë nga inxhinieret profesioniste si “role models”, duke prezantuar mundësitë e punësimit të tyre në sektorin publik dhe në sektorin privat pas diplomimit.
- Shfrytëzimit të hapësirave dhe sallave të FIM me paralajmërim dhe dakordim paraprak për qëllime të AWESK.
- Trajnime nga anëtaret profesioniste të AWESK për studentet në ngritjen e shkathtësive të tyre të buta (soft skills), duke përfshirë ngritjen e shkathtësive të prezantimit, punës ekipore, komunikimit, sipas kërkesave të tregut të punës në sektorin përkatës.
- Bashkëpunimit në mentorimin e studenteve të FIM në fushën STEM dhe të Energjisë gjatë praktikës profesionale në organizatat e sektorit (publik dhe privat) të energjisë.
- Bashkëpunimit nëpërmjet trajnimeve, seminareve, konferencave, vizitave studimore të përbashkëta, në nivel vendor dhe ndërkombëtar për promovimin e gjithëpërfshirjes së vajzave në nivel sa më të madh në sektorin e energjisë.
- Bashkëpunimi për organizimin e moduleve dhe punëtorive me theks në rolin dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes së grave dhe vajzave në sektorin e energjisë, gjatë shkollave verore, dimërore dhe aktiviteteve të tjera akademike që i organizon FIM .
- Bashkëpunimit në promovimin e aktiviteteve të AWESK-ut në ueb-faqen e fakultetit  në grupin e studenteve në rrjetet sociale me qëllim të informimit të tyre për ekzistencën e shoqatës, njohjen me objektivat e punës së saj si dhe të ofrimit të mundësisë të anëtarësimit të tyre në shoqatë. Anëtarësimi ju mundëson pjesëmarrjen nëpër ngjarje të ndryshme nga dhe rrjetëzimin me akterë tjerë relevant nga fusha e energjisë se rinovueshme.
- Bashkëpunimi në aplikimin dhe implementimin e projekteve të ndryshme konkurruese kombëtare dhe ndërkombëtare