Studentet kosovare me histori suksesi Edisa Shoshi dhe Erëza Abdullahu vizitojnë FIM

04 Janar 2025
SHARE

Java e fundit e vitit që shkoi ka shënuar një moment të rëndësishëm për Fakultetin tonë, pasi studentet e shkelqyera Edisa Shoshi dhe Erëza Abdullahu nderuan këtë institucion, gjegjësisht dekanin dhe menaxhmentin dhe stafin e fakultetit me vizitat e tyre. Të dyja janë duke ndjekur studimet në universitete prestigjioze në dy anë të ndryshme të botës dhe po tregojnë suksese të jashtëzakonshme në fushat e inxhinierisë dhe teknologjisë.

Edisa Shoshi po vijon studimet master në Tokio, Japoni, në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike dhe Sistemeve të Informacionit në Shkollën e Lartë të Inxhinierisë pranë Universitetit të Tokyos, i cili renditet në vendin e 28 në botë sipas Times Higher Education. Ajo ka përfunduar studimet bachelor në Mekatronikë në Departamentin e Mekatronikës të Fakultetit të Inxhinierisë në University of Debrecen, Hungari, me temën e diplomës "Position Control of Pneumatic Cylinder" dhe ka arritur një mesatare të shkëlqyer 5.0.

Nga ana tjetër, Erëza Abdullahu ka përfunduar një diplomë të dyfishtë (double joint degree) në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe Informatikës në Universitetin "UNICAM" të Camerinos, Itali, dhe në fushën e Sistemeve të Informacionit të Biznesit në Universitetin FHNW të Oltenit, Zvicër. Ajo është aktualisht duke realizuar kërkime për temën e saj të masterit në fushën e "Face Recognition". Erëza po na nderon me mundësinë e realizimit të eksperimenteve dhe hulumtimeve të nevojshme për temën e saj në laboratorët e simulimit dhe modelimit të Fakultetit të Inxhinierisë dhe Menaxhimit (FIM), duke kontribuar në shkëmbimin e njohurive dhe avancimin e kërkimeve shkencore.

Ky shkëmbim i njohurive dhe mundësitë kërkimore janë shumë të vlefshme për Fakultetin dhe Universitetin tonë. Ne jemi shumë krenarë për arritjet e Edisa Shoshit dhe Erëza Abdullahut, si dhe për të gjithë studentët shqiptarë që po bëjnë emër në të gjithë botën. Këto histori suksesi janë një burim frymëzimi për brezat e rinj dhe dëshmojnë se talenti dhe përpjekjet e studentëve tanë vlerësohen dhe janë të njohura në nivel ndërkombëtar.