Përmes një ceremonie të organizuar më 24 Dhjetor 2024, në sallën e Qendrës së Inovacionit në FIM, tri studente u shpërblyen me bursa të ndara nga fondacioni “Shqipe Luzha Heroi”. Ndarja e këtyre bursave, tashmë një traditë në fakultetin tonë, zhvillohet çdo 24 Dhjetor, datë që përkon me ditëlindjen e pionieres dhe inxhinieres së parë femër në fushën e Inxhinierisë Mekanike, Shqipe Luzha Heroi.
Para ndarjes së bursave për studentet fituese – Lindita Gërguri, Hava Dema dhe Florentina Gashi – u lexua biografia e Shqipe Luzhës, e cila nxirrte në pah udhëtimin e saj të mbushur me sfida dhe vendosmëri. Ajo theu barrierat në një fushë tradicionalisht të dominuar nga meshkujt, duke u bërë një shembull frymëzimi jo vetëm për tri vajzat e saj, por për çdo grua, mike apo nxënëse që pati fatin ta takonte. Pasioni i saj për inxhinierinë mekanike dhe përkushtimi ndaj dijes lanë gjurmë të pashlyeshme në peizazhin akademik të universitetit tonë.
Rudina Heroi, vajza e Shqipes, mbajti një fjalë rasti ku, me emocione të dukshme, shprehu krenarinë për trashëgiminë e nënës së saj. Ajo theksoi se vepra e Shqipe Luzhës ishte një dhuratë e çmuar, një shembull që çdo fëmij do të dëshironte të kishte në jetën e tij.
“Shqipe Luzha Heroi” është më shumë se një program ndihme financiare; është një festë e diversitetit, një njohje e arritjeve akademike dhe një angazhim për ndërtimin e një të ardhme më gjithëpërfshirëse në fushën e inxhinierisë mekanike, duke krijuar një ndikim të qëndrueshëm në jetën e inxhiniereve të reja.
Ky është viti i dytë i ndarjes së bursave nga ky fondacion, i cili përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi është zotuar të rrisë numrin e bursave për studentet e FIM në vitet në vijim.