FIM zgjeron bashkëpunimin me industrinë

10 Korrik 2026
SHARE

Në vazhdën e zgjerimit të bashkëpunimit me industrinë, sot Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi, ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me kompaninë PMN Sh.P.K., të përfaqësuar nga z. Zenun Tolaj.

Marrëveshja synon forcimin e lidhjes ndërmjet fakultetit dhe industrisë, përmes projekteve të përbashkëta, shkëmbimit të ekspertizës, trajnimeve, punëtorive, ligjëratave profesionale dhe aktiviteteve të tjera që kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve akademike dhe profesionale. Palët do të shqyrtojnë gjithashtu mundësitë për aplikim të përbashkët në programe kombëtare dhe ndërkombëtare.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet krijimit të mundësive për angazhimin praktik të studentëve, realizimin e vizitave profesionale dhe zhvillimin e kompetencave të tyre në përputhje me kërkesat aktuale të tregut të punës. Në këtë mënyrë, studentët do të kenë mundësi që njohuritë teorike t’i ndërlidhin me përvojën konkrete në mjedisin industrial.

Bashkëpunimi parasheh edhe mundësinë e shfrytëzimit të ndërsjellë të pajisjeve dhe kapaciteteve teknike, sipas marrëveshjeve të veçanta ndërmjet palëve.

Ky partneritet pritet të sjellë përfitime të ndërsjella, duke i mundësuar FIM-it lidhje më të afërt me industrinë dhe nevojat e tregut, ndërsa kompanisë qasje në ekspertizën akademike, potencialin kërkimor dhe kapacitetet profesionale të fakultetit.