Takim konsultativ për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të akomodimit akademik

16 Janar 2026
SHARE

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi, priti në një takim zyrtar drejtorin e Përgjithshëm të Qendrës së Studentëve, z. Ekrem Rudari, udhëheqësen e Konviktit nr. 5, znj. Dritë Rama si dhe drejtorin e Mensës së Studentëve, z. Fahri Osmani.

Takimi kishte karakter konsultativ dhe u fokusua në thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet këtyre strukturave dhe Universitetit të Prishtinës, me theks të veçantë në çështjet që lidhen me qëndrimin dhe akomodimin e studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Gjatë diskutimeve u trajtuan temat që ndërlidhen me kapacitetet akomoduese, kushtet infrastrukturore, standardet e shërbimeve për studentë, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të tyre.

Në kuadër të takimit u diskutuan gjithashtu edhe mundësitë që Qendra e Studentëve ofron për akomodimin e stafit akademik ndërkombëtar, i cili viziton FIM-in në kuadër të mobilitetit akademik të stafit, programeve të shkëmbimit (exchange), trajnimeve profesionale, si dhe aktiviteteve të tjera akademike dhe shkencore që zhvillohen në kuadër të projekteve ndërkombëtare. Kjo komponentë u vlerësua si element kyç në procesin e ndërkombëtarizimit, avancimit akademik të njësisë, si dhe në rritjen e përfaqësimit dhe reputacionit institucional të FIM-it.

Po ashtu, në takim u theksua se pritet nënshkrimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, e cila do të formalizojë dhe strukturojë bashkëpunimin ekzistues në funksion të përmirësimit të kushteve për studentë dhe staf akademik vendor dhe ndërkombëtar.

Në përmbyllje të takimit, dekani Prof. Mirlind Bruçi i ndau mirënjohje dhe një logo të FIM-it, të punuar nga studentët Drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës së Studentëve, z. Ekrem Rudari për gatishmërinë dhe përkushtimin e treguar në sistemimin dhe mbështetjen e profesorëve dhe studentëve të programeve exchange.