Sot, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) pati kënaqësinë të mirëpresë një delegacion të nivelit të lartë nga kompania e njohur ndërkombëtare Bosch Rexroth AG. Delegacioni ishte i përbërë nga Dr. Steffen Haack, CEO dhe CTO i Bosch Rexroth AG, Dr. Mark Krieg, Zëvendëspresident për Zhvillim në fushën e Hidraulikës Industriale, Zarife Wiesler, Drejtoreshë e Marketingut në Bosch Rexroth AG, dhe Artur Wirt, Drejtor i Zhvillimit të Softuerit në Njësinë e Biznesit për Hidraulikë Industriale.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, delegacioni u prit nga udhëheqësit dhe stafi akademik i FIM-it, ndërsa pati rastin të vizitojë laboratorët dhe kapacitetet teknike që posedon fakulteti. Në kuadër të kësaj vizite u zhvilluan diskutime të rëndësishme mbi mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve, me synim krijimin e një platforme të përbashkët për zhvillim akademik, shkencor dhe teknologjik.
Në fokus të bisedimeve ishte ideja e ngritjes së një laboratori të përbashkët për validimin dhe certifikimin e prototipeve të ndryshme, realizimi i projekteve të përbashkëta kërkimore dhe zhvillimore në fushën e inxhinierisë, si dhe bashkëpunimi në testimin e sistemeve hidraulike, sistemeve automotive dhe transmetuesve elektrikë. Po ashtu, u trajtua mundësia për ofrimin e trajnimeve të avancuara për studentët dhe stafin akademik të FIM-it, mundësi për praktika profesionale për studentët brenda kompanisë Bosch Rexroth, si dhe organizimi i eventeve të përbashkëta me karakter akademik, shkencor dhe industrial.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një partneriteti strategjik ndërmjet Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe kompanisë Bosch Rexroth AG, e cila njihet në mbarë botën për inovacionin dhe avancimin teknologjik në fushën e automatizimit industrial dhe sistemeve hidraulike. Ky bashkëpunim i mundshëm pritet të kontribuojë ndjeshëm në përforcimin e kapaciteteve kërkimore dhe zhvillimore të fakultetit, si dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik në përgatitjen për tregun global të punës dhe sfidat teknologjike të së ardhmes.




