Vizita e Stafit Akademik dhe Studentëve të Universitetit Politeknik të Tiranës- UPT në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike -FIM

23 Maj 2025
SHARE

Sot, me datë 23 Maj 2025, Dekani Prof. Mirlind Bruçi dhe stafi i FIM patën kënaqësinë të mirëpresin një delegacion nga Universiteti Politeknik i Tiranës (UPT), i përbërë nga anëtarë të stafit akademik dhe rreth 80 studentë të këtij institucioni të nderuar.

Në përbërje të stafit akademik të UPT ishin Prof. Jonda Teta, Prof. Irma Shyle, Prof. Erald Piperi dhe Prof. Dorian Osmanaj, të cilët u pritën me respekt dhe mikpritje në ambientet e FIM. Gjatë vizitës, mysafirët patën mundësinë të njihen nga afër me kapacitetet teknike, laboratorët modernë, projektet e kërkimit shkencor dhe potencialin e bashkëpunimit akademik e profesional që ofron Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

Profesorët e UPT u shprehën tejet të impresionuar nga infrastruktura e avancuar laboratorike, niveli i përgatitjes teknike të studentëve dhe përkushtimi i stafit të FIM në arsim dhe kërkim. Vizita u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, duke hapur rrugën për dialog të frytshëm mbi projekte të përbashkëta në fushat e inxhinierisë, shkëmbime akademike dhe rritjen e cilësisë në arsimin teknik në nivel kombëtar.

Pjesëmarrja e një numri kaq të madh studentësh nënvizon rëndësinë dhe interesin e lartë që të rinjtë tregojnë për zhvillimin profesional dhe për mundësitë që ofrohen përtej auditorëve të tyre të përditshëm.