FIM organizon punëtori për menaxhimin e energjisë dhe qëndrueshmërinë në kampuset universitare

15 Maj 2025
SHARE

Sot më 15 Maj 2025, në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës u mbajt punëtoria “Edukimi dhe Menaxhimi i Energjisë në Kampuset Universitare”, në kuadër të projektit të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo ngjarje u hap me fjalët përshëndetëse nga Prodekanja e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, znj. Arlinda Alimehaj Rrecaj, dhe Dekani i këtij fakulteti, prof. Mirlind Bruçi. Ata theksuan rëndësinë e projekteve të përbashkëta ndërinstitucionale në avancimin e përpjekjeve për qëndrueshmëri dhe efikasitet energjetik në institucionet e arsimit të lartë.

Gjatë punëtorisë u prezantuan disa nga gjetjet më kruciale të këtij projekti, me fokus në qëndrueshmërinë mjedisore dhe menaxhimin efikas të energjisë në ambientin universitar. Prezantuesit e pjesëmarrësve në këtë projekt ishin: prof. Rame Likaj, prof. Gëzim Hoxha, prof. Bukurije Hoxha, si dhe studentja e dalluar Eronita Jasiqi.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë për ndarjen e rezultateve të hulumtimeve dhe një mundësi për shkëmbim idesh rreth mënyrave më efikase për të reduktuar ndikimin mjedisor dhe gjurmën e karbonit në kampuset universitare.

Një moment i veçantë i ngjarjes ishte promovimi zyrtar i Klubit të Qëndrueshmërisë, i themeluar në kuadër të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Kjo nismë ka për qëllim nxitjen e ndërgjegjësimit dhe veprimit konkret drejt një kampusi më të gjelbër dhe të qëndrueshëm në aspektin e përdorimit të energjisë.

Falënderime të veçanta iu drejtuan Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, si dhe studentëve dhe stafit të të dy universiteteve, UP dhe UT, për angazhimin dhe kontributin e tyre në realizimin e projektit dhe të aktiviteteve të tij.

Gjithashtu, u theksua mirënjohja ndaj MASHT-it dhe AKKSHI-së për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme që kanë ofruar në të gjitha fazat e projektit.

Punëtoria u përmbyll me një thirrje për vazhdimësi të bashkëpunimit dhe për një angazhim më të thelluar akademik në adresimin e sfidave mjedisore me të cilat përballet shoqëria jonë. Pjesëmarrësit u inkurajuan të shohin këtë aktivitet si një pikënisje për ide dhe iniciativa të reja drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.