Në vazhdën e aktiviteteve të ngushta të kampanjës "Çka mëson me mua në FIM”, sot më 16 Prill 2025, Dekani Mirlind Bruçi së bashku me menaxhmentin dhe stafin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike pritën në vizitë stafin e gjimnazit “Sami Frashëri” si dhe nxënësit e tij, të udhëhequr nga arsimtarja, gjegjësisht psikologja Besarta Murtezaj dhe udhëheqësi i kryesisë së shkollës nga radhët e nxënësve Drit Krasniqi.
Nxënësit e këtij institucioni, të cilët janë në përfundim të shkollimit të tyre të mesëm, kishin mundësinë të njoftohen më nga afër me plan programet që ofron FIM dhe përfitimet që lidhen me përgatitjen dhe formimin e tyre profesional. Gjatë vizitës, ata patën mundësinë të eksplorojnë laboratorët e programeve përkatëse dhe të shohin demonstrime nga stafi i FIM mbi pajisjet më të avancuara që janë në dispozicion, duke theksuar mundësitë e trajnimit dhe zhvillimit të aftësive të nevojshme për karrierën e ardhshme.





