Zgjerimi i bashkëpunimit ndërkombëtar në FIM: Takim me përfaqësues të Silesian University of Technology nga Polonia

10 Prill 2025
SHARE

Në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimit të shkëmbimeve akademike, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) në Universitetin e Prishtinës ka ndërmarrë hapa konkretë drejt ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm me Silesian University of Technology në Poloni. Në këtë kuadër, FIM pati kënaqësinë të mirëpresë dy profesorët e njohur nga ky universitet: Dr. hab. inż. Tomasz Tański, prof. PŚ, dhe Dr. hab. inż. Zbigniew Brytan, prof. PŚ.

Dekani i FIM-së, Prof. Dr. Mirlind Bruçi, së bashku me Drejtorin e Institutit të FIM-së, Prof. Asoc. Dr. Afrim Gjelaj, zhvilluan një takim të frytshëm me përfaqësuesit e universitetit polak. Gjatë këtij takimi, u diskutuan në detaje mundësitë për bashkëpunim dhe u arrit marrëveshja për zhvillimin e programeve të përbashkëta, me theks të veçantë në shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i kapaciteteve arsimore dhe kërkimore të të dy institucioneve, duke krijuar mundësi të reja për përvoja ndërkombëtare, zhvillim profesional dhe bashkëpunime shkencore – në veçanti brenda kuadrit të projekteve Horizon, Erasmus+, si dhe projekteve të tjera të specializuara.

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe është dëshmi e përkushtimit të tij për të ofruar mundësi të avancuara arsimore dhe shkencore për studentët dhe stafin akademik.