Sot, më datë 10.02.2025, Dekani i FIM, Profesori Mirlind Bruçi, së bashku me Prodekanen për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Lidhje me Industrinë, Arlinda Alimehaj Rrecaj, takuan inxhinierin dhe sipërmarrësin e suksesshëm, Mirlind Mushkolaj, i cili është përfaqësues i kompanisë Raoul Guyot. Kompania, me seli në qytetin metropolitan të mbrojtur nga UNESCO, La Chaux-de-Fonds, në Zvicër, është e njohur për prodhimin botëror të orëve të nivelit të lartë. Raoul Guyot SA është një kompani shumë e suksesshme, e angazhuar në prodhimin e orëve, stampimeve dhe produkteve të gatshme për orët, artikujve lëkure dhe teknika dentare, si dhe zgjidhjeve metalike për produkte të nivelit të lartë dhe luksoz. Ajo ofron një gamë të gjerë shërbimesh, duke përfshirë stampim të ftohtë dhe të nxehtë të çeliqeve jo koroduese, bakri, bronzi, argjendi, ari etj; duke përfshirë prodhimin e kopsave të ndryshme, si ato të rripit dhe kopsave të orëve, deri te prodhimi final i orëve duke përdorur teknologji të sofistikuar dhe precize.
Në këtë takim, u diskutuan dhe u dhanë zotime për një bashkëpunim që do të ndodhë shumë shpejt në ditët në vijim. Bashkëpunimi mes Fakultetit dhe kompanisë Raoul Guyot do të shtrihet në një rrafsh të shkëmbimit të njohurive shkencore dhe inxhinierike-inovative në mes të Fakultetit dhe kësaj kompanie të njohur si dhe angazhimi i përbashkët në projektet e mundshme edukative dhe profesionale.