Më 7 shkurt 2025, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM), Prof. Dr. Mirlind Bruçi, dhe stafi i tij nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi me Institutin e Arsimimit dhe Avancimit Profesional (IAAP) "Tafil Kasumaj" në Deçan, përfaqësuar nga Drejtori Lan Stojkaj dhe Prof. Enver Osdautaj.
Ky memorandum është një hap i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe trajnimit profesional. Marrëveshja përfshin disa elemente kyçe:
Promovimi i ofertës në kuadër të kampanjës “Çka mëson me mua në FIM”. Kjo përfshin njohjen e përafërt e studenteve me kompetencat dhe mundësitë qe tregu i punës u ofron te diplomuarve në Mekatronikë, Energji të Ripërtërishme , Komunikacion-ITS- Sistemet Inteligjente të Transportit, Automjetet motorike dhe Mekanika, duke theksuar mundësitë e zhvillimit të këtyre fushave për studentët e dy institucioneve.
Përkrahja për zhvillimin e stafit të IAAP. FIM do të mbështesë zhvillimin e vazhdueshëm profesional të stafit të IAAP, veçanërisht në lidhje me aftësitë praktike në laboratorët e FIM.
Pjesëmarrja në projekte të përbashkëta. Të dy institucionet do të angazhohen në projekte të përbashkëta që kanë për qëllim avancimin e fushave të studimit dhe zhvillimin e mundësive praktike për studentët dhe stafin.
Shfrytëzimi i laboratorëve të institucioneve. Laboratorët e FIM do të përdoren për të mundësuar zhvillimin e shkathtësive praktike dhe për të mbështetur kërkimin dhe trajnimin profesional.
Mundësia për zhvillim të shkathtësive praktike për nxënësit e IAAP dhe vizita të ndërsjella. Nxënësit e IAAP do të kenë mundësinë të zhvillojnë aftësi praktike nëpërmjet vizitave dhe aktiviteteve të përbashkëta në laboratorët e FIM.


