Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu viziton Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike

03 Shkurt 2025
SHARE

Javën që shkoi, menaxhmenti i FIM-it, i përbërë nga Dekani Mirlind Bruçi, prodekanët Xhevahir Bajrami, Arlinda Rrecaj dhe Bukurije Hoxha, si dhe anëtari i Këshillit Drejtues të UP-së, Rifat Krasniqi, patën nderin të presin në një takim Rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, të shoqëruar nga Prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik dhe privat, Albana Qehaja, Prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, Rozafa Basha, si dhe Prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime, profesor Naim Jerliu.

Në kuadër të kërkimit të sigurimit të mbështetjes strategjike nga menaxhmenti i UP-së për mundësimin e  zhvillimit dhe rritjes së fakultetit si një njësi e suksesshme akademike, u diskutuan qeshjet, si:

 Sigurimi i burimeve financiare për zhvillimin e kapaciteteve të fakultetit, përmirësimin e infrastrukturës dhe mbështetje për projekte kërkimore dhe akademike;

Krijimi i mundësive për trajnime për stafin e FIM, zhvillimin e metodologjive të reja mësimore dhe mbështetje për implementimin e teknologjive të avancuara në procesin mësimor;

Nxitja e mundësive për lidhje më të ngushta me sektorin privat dhe publik, si dhe përfshirja e studentëve dhe stafit akademik në projekte të përbashkëta inovative dhe praktika profesionale;

Sigurimi i mundësive për hulumtime të avancuara, si dhe mbështetje për publikimet dhe përfshirjen në projekte ndërkombëtare kërkimore;

Mbështetje për krijimin e mundësive shkëmbimi akademik me universitete dhe institucione të huaja, si dhe ndihmë për rritjen e vizibilitetit të fakultetit në nivel ndërkombëtar.

Rektori dhe prorektorët patën mundësinë të vizitojnë disa nga hapësirat e laboratorëve më të rëndësishëm të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe shprehën kënaqësinë se ato janë të pajisura në mënyrë të mjaftueshme për të ofruar kushte të shkëlqyera për studentët dhe stafin e FIM.

Rektori Hajrullahu shprehu kënaqësinë e tij për vizitën dhe theksoi angazhimin e universitetit për të mbështetur rritjen dhe zhvillimin e fakultetit, duke u fokusuar në përmirësimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me industrinë dhe promovimin e kërkimeve shkencore. Ai po ashtu garantoi mbështetje të vazhdueshme për avancimin e procesit akademik dhe zhvillimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin e FIM-it.