Studenti i diplomuar në studimet master të Departamentit të Mekatronikës të FIM-it në Universitetin e Prishtinës, Petrit Abdyli, së bashku me profesorin e shquar të këtij fakulteti, Arbnor Pajazitin kanë finalizuar një punë të shkëlqyer me krijimin e prototipit inovativ "Ventilatori Mekanik", një produkt unik që kombinon fushën e mekatronikës dhe mjekësinë, duke shprehur më së miri interaksionin ndër disiplinar të të dyja fushave. Ventilatori është i rëndësisë së veçantë pasi si i tillë është pajisje vitale dhe ka zbatim në intervenimet mjekësore. Ky projekt është vazhdim i punës së tij gjatë studimeve master dhe ka qenë temë e diplomës së tij me titull: “Programimi dhe lidhja e sensorëve dhe aktuatorëve në prototipin e ventilatorit mekanik." Komisioni profesional që ka vlerësuar punën e tij ka pasur përbërje nga profesorë të shquar të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike: Prof. Dr. Ramë Likaj, kryetar; Prof. Dr. Arbnor Pajaziti, mentor dhe Prof. Asoc. Dr. Xhevahir Bajrami, anëtar.
Ky sukses i Petritit ka marrë një vëmendje të madhe mediatike, me një pjesë të emisionit të pasdites në televizionin Klan Kosova të dedikuar për krijuesin e projektit dhe mentorin, profesor Arbnor Pajaziti. Gjatë emisionit, u diskutua mundësia dhe rëndësia e mbështetjes për studentët me ide inovative si kjo, ndërsa për këtë temë u shpreh edhe prodekanja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe lidhje me industri, profesor Arlinda Alimehaj Rrecaj, e cila theksoi rëndësinë e promovimit dhe mbështetjes për iniciativa të tilla.
Në emision u inkuadruan përmes kyçjes ‘online’ edhe dy studentet e suksesshme Edisa Shoshi dhe Erëza Abdullahu të cilat sjellën eksperiencat e tyre gjatë studimeve në universitete prestigjioze të botës. Edisa Shoshi po vijon studimet master në Tokio, Japoni, në Departamentin e Inxhinierisë Elektrike dhe Sistemeve të Informacionit në Shkollën e Lartë të Inxhinierisë pranë Universitetit të Tokyos derisa Erëza Abdullahu është duke përfunduar një diplomë të dyfishtë (double joint degree) në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe Informatikës në Universitetin "UNICAM" të Camerinos, Itali, dhe në fushën e Sistemeve të Informacionit të Biznesit në Universitetin FHNW të Oltenit, Zvicër dhe është duke realizuar eksperimente dhe hulumtime në laboratorët e simulimit dhe modelimit të Fakultetit të Inxhinierisë dhe Menaxhimit (FIM).
Ky projekt dhe sukseset e këtyre studentëve janë shembuj të shkëlqyer të përpjekjeve për të avancuar teknologjinë dhe për të sjellë inovacione që mund të kenë impakt të madh jo vetëm në ngritjen e nivelit të ratingut të fakultetit por edhe në zhvillimin industrial të vendit tonë.
Linku i emisionit