Prof.ass.dr. Riad Ramadani përfundon me sukses studimet e post-doktoratës në Universitetin e Dejtonit në SHBA përmes programit Fulbright

10 Maj 2024
SHARE

Dr. Riad Ramadani, Profesor asistent në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtines “Hasan Prishtina” përfundon me sukses studimet e post-doktoratës në Universitetin e Dejtonit në SHBA në kuadër të programit Fulbright Visiting Scholar.

Dr. Ramadani, ka qëndruar në Universitetin e Dejtonit nga data 15.08.2023 deri më 15.02.2024 nën mbikëqyrjen e Dekanes Dr. Gül Kremer dhe ka punuar në projektin e tij kërkimor “Integrating Topology Optimization and Additive Manufacturing to Produce Lightweight and Low Vibration Gear Body”. Po ashtu, është angazhuar edhe në dy projekte tjera shkencore në fushën e dizajnit për riprodhim; projekti i parë i udhëhequr nga Dr. Gül Kremer në Universitetin e Dejtonit, ndërsa projekti i dytë nga Dr. Chao Hu dhe Dr. Junfeng Ma në Universitetin Connecticut dhe Universitetin Shtetëror të Misisipit.

Ka realizuar një prezantim poster (24-26 tetor 2023) në konferencën e organizuar nga Instituti i Teknologjisë në Rochester (RIT), New York. Është bashkautor në dy punime që janë prezantuar në konferencën “2024 Remade Circular Economy Tech Summit&Conference” të mbajtur më 10-11 prill 2024 në Uashington DC.  Po ashtu, nga projekti i tij kërkimor ka publikuar një kapitull të librit “Fabricating Lighweight Gear using 3D Printing and Topology Optimization” në Springer Nature dhe një punim shkencor që është në shqyrtim “Determining Lattice Structure Design for Topology Optimization and Additive Manufacturing”, ndërsa aktualisht është duke punuar me kolegë amerikan në dizajnimin dhe optimizimin e strukturave të lehta Honeycomb dhe Gyroid për 3D printim.