Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Mbrojtjes kanë shënuar një hap të rëndësishëm në drejtim të thellimit të bashkëpunimit institucional, shkencor dhe profesional, përmes nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, e cila synon mobilizimin e kapaciteteve akademike në funksion të zhvillimit të industrisë së mbrojtjes dhe sektorëve të ndërlidhur me sigurinë kombëtare.
Në kuadër të kësaj nisme, fillimisht u zhvillua një takim informues dhe shumë entuziast ndërmjet Rektorit të Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, dhe Ministrit të Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, me pjesëmarrjen e dekanëve, profesorëve dhe studentëve të fushave inxhinierike. Takimi u karakterizua nga një interesim i lartë i studentëve, të cilët shfaqën kureshtje dhe gatishmëri për t’u përfshirë në projekte me rëndësi strategjike për vendin.
Në kuadër të Universitetit të Prishtinës, një rol të veçantë në përmbushjen e objektivave kryesore të kësaj marrëveshjeje pritet ta ketë Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, si njësi akademike me potencial të rëndësishëm shkencor, laboratorik dhe profesional në fushat e materialeve, teknologjive prodhuese, testimeve mekanike, pajisjeve ushtarake, teknologjive moderne, logjistikës dhe sistemeve inxhinierike.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. Mirlind Bruçi, e falënderoi përzemërsisht rektorin e UP-së dhe Ministrin e Mbrojtjes për këtë nismë të rëndësishme, duke e vlerësuar atë si një mundësi të jashtëzakonshme për konkretizimin e një synimi të kahmotshëm të stafit akademik dhe të departamenteve të Fakultetit. Ai theksoi se kjo marrëveshje krijon hapësirë reale për materializimin e kapaciteteve akademike dhe profesionale të FIM-it në dobi të vendit, duke e lidhur dijen universitare me nevojat strategjike të shtetit. Prof. Bruçi siguroi se kjo iniciativë do ta ketë mbështetjen e plotë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, përmes angazhimit të stafit akademik me përvojë dhe ekspertizë relevante në fusha si materialet inxhinierike, testimi dhe karakterizimi i materialeve, komponentët për armatim dhe municion, pajisjet ushtarake, teknologjitë moderne të prodhimit, prodhimi aditiv, logjistika e automjeteve, si dhe zhvillimi i projekteve inovative me përfshirjen e studentëve dhe stafit akademik. Ai po ashtu theksoi se Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike do të jetë i përkushtuar që këtë bashkëpunim ta shndërrojë në rezultate konkrete, duke ofruar ekspertizë shkencore, laboratorike dhe profesionale për zhvillimin e projekteve me interes të përbashkët dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në fuqizimin e kapaciteteve vendore.
Gjatë takimit, Ministri i Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, prezantoi vizionin e Ministrisë për zhvillimin e kapaciteteve në industrinë e mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së Universitetit të Prishtinës, stafit akademik dhe studentëve në këtë proces. Ai nënvizoi se dija, kreativiteti dhe përgatitja profesionale e të rinjve janë të domosdoshme për ndërtimin e një baze të qëndrueshme dhe moderne në këtë sektor.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, e vlerësoi lart këtë bashkëpunim, duke theksuar gatishmërinë e UP-së që me kapacitetet akademike, shkencore dhe profesionale të vihet në shërbim të vendit. Ai theksoi se Universiteti i Prishtinës mbetet i përkushtuar që ekspertiza e tij të kontribuojë në zhvillimin e sektorëve me rëndësi strategjike dhe në krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Pas diskutimeve, prezantimit të mundësive të bashkëpunimit dhe bashkëbisedimit me studentët, Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, dhe Ministri i Mbrojtjes, z. Ejup Maqedonci, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në prani të Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. Mirlind Bruçi, Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, prof. Isak Shabani, si dhe studentëve të fushave inxhinierike, të cilët pritet të jenë pjesë e rëndësishme e proceseve të ardhshme të bashkëpunimit.
Kjo ditë paraqet një moment të rëndësishëm dhe historik për të dy institucionet, të cilat shprehën zotimin e tyre për të bashkuar dijen, përvojën, kapacitetet profesionale dhe potencialin akademik në funksion të krijimit, zhvillimit dhe fuqizimit të kapaciteteve vendore për industrinë e mbrojtjes dhe jo vetëm.


