Vizitë e stafit të Sigma Technology në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike

22 Maj 2025
SHARE

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) ka pritur një delegacion të përbërë prej 12 anëtarësh nga kompania ndërkombëtare Sigma Technology Group, të udhëhequr nga Presidenti Niklas Marmros, CEO & bashkëthemelues i Sigma Technology Insight Solutions AB, Robert Åberg, dhe Presidentja e Sigma Technology North Solutions, znj. Vlora Ramadani – një shqiptare e suksesshme që përfaqëson një histori frymëzuese suksesi në botën e teknologjisë. Delegacionit iu bashkuan edhe përfaqësues nga Sigma Technology Kosova.

Kjo vizitë u realizua në vazhdën e bashkëpunimit të formalizuar më 31 janar 2025, me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Dekanit të FIM-it, Prof. Dr. Mirlind Bruçi, dhe Presidentit të përgjithshëm të Sigma Technology Group, Niklas Marmros, si dhe një marrëveshjeje të veçantë me Arianti Pajazitin, udhëheqës i kompanisë Appbites – pjesë e grupit Sigma Technology.

Delegacioni u prit nga Dekani Bruçi, Prodekanët Prof. Dr. Xhevahir Bajrami dhe Prof. Ass. Dr. Arlinda Alimehaj Rrecaj, si dhe nga profesorët Arbnor Pajaziti, Besart Berisha dhe Fatjon Beqa. Gjatë vizitës, mysafirët patën rastin të vizitojnë laboratorët e FIM-it dhe u shprehën të impresionuar me pajisjet teknologjike moderne që posedon fakulteti, të cilat do të jenë bazë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.

Sigma Technology Group është një kompani lidere në fushën e konsulencës teknologjike, me prani në shtete si Suedia, Hungaria, Kina, Norvegjia, Gjermania, Kosova dhe Ukraina. Kompania ofron një gamë të gjerë shërbimesh që përfshijnë zhvillimin e softuerëve, dizajnimin e sistemeve të integruara dhe zgjidhje të avancuara digjitale. Kjo e bën bashkëpunimin me FIM-in një mundësi të jashtëzakonshme për studentët dhe stafin që të përfshihen në projekte ndërkombëtare, të fitojnë përvojë praktike dhe të zhvillojnë më tej aftësitë profesionale. Marrëveshje bashkëpunimi qe nënshkruar edhe me kompaninë Appbites, e cila ka marrë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e softuerit në Kosovë. Appbites ofron shërbime të avancuara në fushën e teknologjisë, përfshirë zgjidhje softuerike të personalizuara, dizajn të arkitekturës së reve kompjuterike, sigurim cilësor dhe këshillim strategjik për teknologjinë blockchain.

Vizita shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjes mes akademisë dhe industrisë, duke krijuar një urë bashkëpunimi që synon zhvillimin profesional të studentëve dhe avancimin e fushës së inxhinierisë dhe teknologjisë në Kosovë.