Dekani i FIM pret në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Zvicrës AES (Albanian Engineering of Switzerland)

18 Prill 2025
SHARE

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM), Profesor Mirlind Bruçi, së bashku me menaxhmentin e tij, pritën në një takim konsultativ përfaqësuesit e Shoqatës së Inxhinierëve Shqipëtar të Zvicrës AES (Albanian Engineering of Switzerland) Presidentin z. Mentor Ilazi dhe drejtorin e operacioneve z. Arafat Sahiti.

Në këtë takim, dekani dhe mysafirët shqyrtuan mundësitë e krijimit të një memorandum bashkëpunimi, në kuadër të cilit u parapanë zotime për përpjekje në thellim të bashkëpunimit në projekte të rëndësisë kombëtare, duke diskutuar mënyrat për të zhvilluar dhe mbështetur iniciativa që do të kenë ndikim të gjerë dhe të dobishëm për komunitetin dhe sektorët përkatës.

Përfaqësuesit e Shoqatës së Inxhinierëve kanë falënderuar dekanimn Bruçi që u është dhënë mundësia të japin kontributin e tyre profesional në qarqet akademike, gjegjësisht për fuqizimin e akademisë dhe industrisë në fakultetin e inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës. Po ashtu, dekani Bruçi i falënderoi përfaqësuesit e AES për vizitën e tyre fakultetit dhe të laboratorëve të FIM, duke shprehur optimizmin se rezultatet e këtij bashkëpunimi do të jenë të prekshme në një të ardhme të afërt.

Albanian Engineering of Switzerland ka për qëllim themelor të lehtësojë dhe zhvillojë platforma të shkëmbimit në mes të Zvicrës dhe vendeve të prejardhjes së Shqiptarëve: Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Lugina e Preshevës, etj.