Sot, dekani Mirlind Bruçi, së bashku me prodekanen Arlinda Alimehaj Rrecaj pritën në një takim drejtorin ekzekutiv të Agjencisë për zhvillimin e bujqësisë, në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Luan Sylaj. Në këtë takim, me dakordimin e dy palëve, u arrit marrëveshja zyrtare ndërmjet dy institucioneve.
Kjo marrëveshje ka në fokus bashkëpunim në mes të dy institucioneve në kuadër të mbështetjes teknike dhe shkencore të FIM për zhvillimin dhe përmirësimin e sektorit të bujqësisë. Fakulteti i Inxhinierisë do të angazhohet në ofrimin e ekspertizës për Fakultetin e Bujqësisë në fusha të ndryshme. Kjo përfshin: vlerësimin profesional të veglave dhe pajisjeve bujqësore, vlerësimin e cilësisë së vajrave dhe antifrizit, angazhimin në testimin e materialeve, si me shkatërrim ashtu edhe pa shkatërrim, kryerjen e testeve dhe vlerësimeve të tjera specifike, të cilat do të përcaktohen sipas kërkesave të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Po ashtu, synim i marrëveshjes është edhe përkushtimi në drejtim krijimit e hapësirave për praktika dhe punësim, përsosjen e aftësive profesionale të studentëve dhe të diplomuarve të FIM si dhe angazhimi në hulumtime dhe projekte të përbashkëta shkencore, vendore dhe ndërkombëtare.
