Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike nënshkruhet Memorandum Mirëkuptimi në mes të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Flensburg-ut të Gjermanisë

06 Nëntor 2024
SHARE

Më datë 05 Nëntor 2024, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike është nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi në mes të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Flensburg-ut të Gjermanisë. Memorandum Mirëkuptimi u nënshkrua nga udhëheqësit e dy institucioneve të larta arsimore, rektorëve, profesor Arben Hajrullahu dhe professor Sven Tode, në praninë dhe mbështetjen e Dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, profesor Mirlind Bruçi.

Me nënshkrimin e këtij memorandumi, pritet të krijohen mundësi të reja për shkëmbimin e dijes dhe për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, duke kontribuar në avancimin e dijes dhe shkencës.

Në një deklaratë pas nënshkrimit, të dy rektorë theksuan se janë të përkushtuar për zbatimin e përpiktë të këtij memorandumi. Dekani Bruçi, njëherit, theksoi se strategji e menagjmentit të FIM-it mbetet sjellja e biznesit, ndërmarrjeve, tregut të punës sa më afër studentëve dhe stafit akademik, me qëllim që programet e studimit të jenë sa më të përshtatshme dhe studentët të orientohen për tu integruar sa më mirë në tregun e punës.

Nënshkrimit të këtij Memorandum Mirëkuptimi, i ka paraprirë një ligjëratë e mbajtur nga rektori Tode, në sallën e Konferncave të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në të cilën pati të pranishëm të shumtë, si, përfaqësues-udhëheqës nga insitucionet universitare dhe qeveritare dhe organizata vendore e rajonale si dhe studentë. Ligjerata me temën “Si Mercedes Benz i dha Formë Industrisë së Automobilëve” u ndoq me kërshëri nga pjesëmarrësit, pas së cilës pat edhe pyetje diskutime interaktive. Profesor Tode, përshkroi jetën e gjigantit Mercedes-Benz që nga konceptet e hershme deri te mrekullitë moderne dhe mënyrën si ka evoluar kjo kompani dhe vazhdon të jetë katalizator për shumë ndryshime në industri. Kështu, shpresojmë që fillet e bashkëpunimit në mes të Universitetit tonë dhe atij të Flensburgut në Gjermani, poashtu të jenë katalizator për krijimin e bashkëpunimeve me Universitete tjera të Evropës e më gjerë.