Prof.Dr. Mirlind Bruçi

Prof.Dr. Mirlind Bruçi

Dekan

Nr.kontaktues:

+38338552126

HYRJE

Ndihem krenar që për më tepër se një gjysmë shekulli, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike edukon inxhinierë dhe krijon vazhdimisht një mjedis të përshtatshëm për studentë, me qëllim të arritjes së qëllimeve të tyre akademike, personale dhe profesionale.
Ne, si staf jemi shumë të përkushtuar në përkrahjen e studentëve duke përgatitur programe studimi, që zhvillojnë kompetencat e tyre dhe ngritjen e shkathtësive praktike në harmoni me kërkesat e tregut të punës dhe ritmet e përparimit teknologjik. Përmes një qasjeje të përgjegjshme shoqërore, synojmë të adresojmë dhe të përmbushim nevojat e studentëve tanë dhe të kontribuojmë në zhvillimin e shoqërisë në tërësi.
Qëllimi ynë është të zhvillojmë kërkim shkencor kreativ, inovativ dhe inventiv që synon përsosmërinë ndërkombëtare, me theks të veçantë në kërkimin e aplikuar dhe me përgjegjësi shoqërore, duke kontribuar në zhvillimin e vendit tonë, rajonit dhe globit në përgjithësi.
Zotohemi që Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike synon të jetë i pranishëm dhe i ndërlidhur ngushtë me mjedisin real përmes projekteve praktike dhe partneriteteve me industrinë, duke stimuluar vazhdimisht punonjësit dhe studentët me një orientim drejt shkëmbimit vendor dhe ndërkombëtar të përvojave.  Zhvillimin e projekteve të reja inovative në arsimin e lartë dhe përvetësimin e kompetencave shtesë që krijojnë përparësi konkurruese në ekonominë moderne botërore.

    1. Studentët

Pasuria më e madhe dhe arsyeja kryesore e ekzistimit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike janë studentët. Ata përfaqësojnë komponentin më të rëndësishëm për përpilimin e këtij programi të punës. Studentët duhet të formohen dhe bëhen ekspertë të shkëlqyer në fushën e tyre të studimit,  duke merituar standardet më të larta të cilësisë në arsim.  Do të trajtohen si akterë kyç dhe të barabartë në fakultetin tonë, përfshirë edhe vendim marrjen. Me ndihmën e anketave dhe hulumtimeve, studentët vazhdimisht do të inkurajohen që të kontribuojnë dhe të jenë pjesë përbërëse procesin e monitorimit të cilësisë së studimeve, punës së departamenteve, administratës dhe të mësimdhënësve.
Si menaxhment dhe si fakultet në përgjegjësi, do ti rrisim përpjekjet tona për rritjen e standardeve dhe përmirësimin e kushteve për të lehtësuar jetën e tyre studentore duke përfshirë edhe krijimin e infrastrukturës për aktivitete sportive, muzikore, kulturore etj.
Përveç aktiviteteve mësimore do të angazhohemi dhe do të mbështesim dhe inkurajojmë edhe aktivitete tjera jashtë mësimore (të gjitha format e aktivitetit studentor, punës vullnetare, punës kërkimore dhe hulumtuese, mobilitetit, pjesëmarrjes në gara, konferenca, projekte hulumtuese, organizimin dhe pjesëmarrjen në veprimtari sociale, tubime dhe manifestime). Në koordinim të vazhdueshëm me Unionin e studentëve do të angazhohemi që këto veprimtari të listuara të zbatohen me përpikëri dhe të njëjtat të zgjerohen edhe me aktivitete të tjera në koordinim të drejtpërdrejt me ta.

    Planifikimi i aktiviteteve

Në bashkëpunim me Unionin e  Studentëve do të bëhet:
• nxitja e aktiviteteve të përfaqësuesve të studentëve që delegohen si anëtarë të Këshillit të Fakultet në komisione të caktuara,
• nxitja e studentëve për të marrë pjesë në veprimtari arsimore, profesionale, shkencore dhe aktivitetet e tjera mësimore të Fakultetit,
• inkurajimi i studentëve për pjesëmarrje aktive në përmirësimin e cilësisë së programeve të studimeve dhe të mësimdhënies,
• nxitjen dhe krijimin e kushteve për zbatimin e mobilitetit të studentëve,
• zhvillimi i ndjenjës së përkatësisë në Fakultet dhe përgjegjësisë ndaj profesionit,
• inkurajimi për standarde më të larta të studimit dhe jetës studentore, duke përfshirë sportin, aktivitetet argëtuese dhe kulturore.

    2. Hulumtimi

Synimi ynë kryesor për  një zhvillim të qëndrueshëm të FIM është punësimi i të rinjve në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe ministritë përkatëse (rritja e numrit të profesorëve, asistentëve, laborantëve, ekspertëve nga fushat specifike të inxhinierisë mekanike).
Mësimdhënësit tanë vazhdimisht janë të angazhuar dhe do të angazhohen në projekte dhe mobilitete të ndryshme shkencore qoftë si individ ose në grupe të përbashkëta hulumtuese. Në koordinim me Universitetin e Prishtinës  dhe në planifikimin e ardhshëm buxhetor do të kujdesemi për krijimin e një fondi të veçantë për hulumtime shkencore, botimin e teksteve, monografive etj.
Varësisht nga fusha e studimit të tyre, stafi akademik do të inkurajohet të përfshihet në projekte që kanë lidhje direkte me industrinë, ekonominë, mjedisin, ushtrinë, policinë etj. Do të iniciojmë formimin e një çmimi për hulumtues të vitit i cili do të ketë vlerë të caktuar monetare.
Bashkëpunimi me fakultetet si motra në vend, regjion dhe në nivel global do të jetë një ndër prioritet primare.
Do të bëjmë përpjekje maksimale për organizimin e studimeve të doktoratës sa më shpejtë, dhe zotohemi për fuzionomin dhe fuqizimin e disa programeve të studimeve. Lansimin e një reviste me recension ndërkombëtar për ta lehtësuar punën në aspektin e publikimeve për doktorantët e rinj dhe hulumtuesit e tjerë në vend.


    Planifikimi i aktiviteteve

• koordinimi i programeve të studimit dhe sigurimi që këto programe përmbushin standardet e akreditimit, miratimin e një plani të përbashkët vjetor për zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe avancimin shkencor të stafit akademik,  përmes harmonizimit dhe koordinimit me aktivitete të planifikuara individuale;
• inkurajimi i stafit akademik  për të aplikuar për projekte kërkimore shkencore (në këtë mënyrë gjithashtu do të mundësohet  rritja e numrit të studiuesve të rinj);
• intensifikimi i bashkëpunimit ndërkombëtar duke marrë pjesë në projekte shkencore ndërkombëtare, takime shkencore ndërkombëtare, anëtarësimi në shoqatat ndërkombëtare, mobiliteti i stafit akademik dhe studentëve;
• realizimi i punëtorive dhe konferencave shkencore me qëllim të nxitjes së punës  kërkimore shkencore;
• përcaktimin e një grupi pune për fillimin e publikimit të revistës  shkencore.

    3. Transferimi i njohurive dhe përfshirja rajonale


Megjithëse detyra parësore e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike është ofrimi i programeve mësimore dhe puna kërkimore-shkencore, është e nevojshme të inkurajohen projektet profesionale dhe ndërdisiplinore të financuara nga fondet e BE-së, ekonomia vendore dhe sektori publik. Besoj se bashkëpunimi i mirë dhe transferimi i njohurive me ekonominë mund të ndihmojë shumë në forcimin e njohjes së Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe sigurimin e kompetencave dhe rritjen e konkurrencës së studentëve tanë në tregun e punës. Projektet forcojnë kompetencat dhe njohuritë e zbatueshme të stafit tonë (veçanërisht asistentëve),  por këto projekte mund të jenë edhe një burim i rëndësishëm për burime financiare dhe financimin e studiuesve të rinj e shkencëtarëve me përvojë.
Do të zbatohet një praktikë për ftesat e profesorëve mysafir dhe ekspertëve nga ekonomia dhe industria në fakultet etj. Një praktikë e tillë besoj që do të inkurajoj pjesëmarrjen e stafit dhe studentëve në ngjarjet në nivel lokal dhe global.
Do të punojmë shumë në sigurimin e kushteve moderne për mësim, hulumtim dhe për mësimdhënie optimale. Do të bëhet një auditim i pajisjeve ekzistuese në laboratorët dhe punëtoritë e FIM dhe do të bëhet një plan i ri për investime strategjike.
Do të kujdesem për rritjen e numrit të ri të stafit akademik; të asistentëve dhe të stafit mbështetës, në pajtim me rregullat ligjore.
Të gjithë jemi të vetëdijshëm për hendekun mes pagave në sektorin publik dhe privat  dhe sigurisht që ne, si Fakultet, vështirë se mund të konkurrojmë, por mund të marrim masa të caktuara për tërheqjen dhe mbajtjen e stafit siç është:
• inkurajimin dhe ofrimin e trajnimeve specifike për stafin, me qëllim të ngritjes së tyre profesionale në bashkëpunim me ekonominë dhe sigurimin e kushteve të tjera stimuluese të punës. Qëllimi është të mendohet me kujdes dhe të ofrohen kushte të kënaqshme për të gjithë kolektivin, në kuadër të kornizës ekzistuese ligjore.
• rritja e buxhetit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike duke zhvilluar shërbime profesionale dhe kërkimore shkencore, bazuar në principet e tregut të lirë.  

Aktivitet e planifikuara

• shtimin e pajisjeve të nevojshme digjitale dhe softuerëve profesional;
• nxitja për aplikim në projekte shkencore dhe profesionale;
• planifikimi i masave për tërheqjen, mbajtjen dhe ruajtjen e stafit;
• rritja e buxhetit nga fondet  e vetanake (Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike);
• bashkëpunimi më i fortë me ekonominë (përmes projekteve dhe praktikave studentore);
• renovimi i hapësirave, bibliotekës, kabineteve dhe përmirësimi i kushteve të punës të stafit akademik dhe administrativ;
• iniciativa, projekte dhe aktivitete të promovimit të agjendës së gjelbër dhe qëndrueshmërinë dhe ruajtjen e burimeve natyrore, duke siguruar një zhvillim të balancuar dhe afatgjatë për të ardhmen
 
    4.Ndërkombëtarizimi

Rritja e bashkëpunimit me partnerë nga akademia dhe industria, pjesëmarrja në aktivitete dhe projekte ndërkombëtare si ERASMUS+, Horizon Europe, Ceepus etj  për bashkëpunim  dhe mobilitet të studentëve, stafit akademik, stafit mbështetës dhe administratës do të konsiderohet si prioritet primar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

    Aktivitet e planifikuara

• nxitja e mobilitetit të stafit dhe studentëve;
• duke rritur numrin e lëndëve zgjedhore dhe lëndëve  të cilat mund të mësohen në gjuhën angleze;
• zhvillimi i programeve të përbashkëta studimore dhe përfshirja e partnerëve nga industria në zhvillimin e përmbajtjes së studimeve;
• duke inkurajuar aktivisht  punonjësit dhe studentët në rrjetin YUFE (https://yufe.eu/) dhe YERUN (https://yerun.eu/);
• përfshirja e elementeve të agjendës së gjelbër (ESA Green Agenda), digjitalizimit, hulumtimit dhe inovacionit në programe studimore.

    Përfundim

1. Programi i punës së Dekanit është në përputhje me strategjinë e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe strategjinë e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës dhe garanton sjellje akademike, ligjore dhe etike;
Programi i punës së Dekanit është i lidhur me përkushtimin dhe përpjekjet e vazhdueshme për zgjerimin dhe fuqizimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë, vendor dhe përfshirjen e FIM në Konsorciume, projekte e programe duke synuar arritjen e standardeve Evropiane në mësimdhënie, kërkim shkencor, publikime etj.
“Ndërkombëtarizimi është dhe do të mbetet fjala kyçe  në punën e Dekanit të FIM, në kushtet kur Kosova po përgatitet për tu anëtarësuar ne BE”.
Strategji  e  Dekanit të FIM - it  është për rritur bashkëpunimin me bizneset, institucionet, ndërmarrjet, tregun e punës, me qëllim që programet e studimit të jenë sa më të përshtatshme dhe studentët të orientohen për tu integruar sa më mirë në tregun e punës.
2. Çështja e punësimit të studentëve tanë  këtu në Kosovë dhe jo në Evropë, SHBA apo vende të tjera  është shqetësimi kryesor i autoriteteve drejtuese dhe e stafit akademik të FIM, andaj është me rendësi komunikimi me botën akademike, industrinë, institucionet, punëdhënësit që tu ofrojmë përmbajtje programore dhe kushte për t’ju mundësuar qasje më të lehtë në punësim etj.
3. Programi ka për qëllim rritjen e imazhit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në vend, rajon dhe nivel global. Promovimi i programeve të studimeve do të jetë prioritet primar i yni. Fakulteti ka të drejtë të themelojë institute për kërkime praktike në fusha të caktuara, sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit me partnerët privatë ose publikë, me miratim të Këshillit Drejtues;
4. Mandati do të bazohet në punë në grup, këmbëngulje, transparencë (i hapur për bashkëpunim me të gjithë), rritjen e kapaciteteve humane, teknologjike dhe financiare. Bashkëpunimi ndërkombëtar, mobiliteti i stafit, studentëve dhe administratës me qëllim të rritjes së cilësisë së programeve të studimit. Jemi të përkushtuar për buxhetin e fakultetit, duke u siguruar që resurset financiare përdoren me efektivitet dhe efikasitet. Menaxhim i kujdesshëm i çështjeve administrative, përfshirë regjistrimin e studentëve dhe organizimin e ngjarjeve shoqërore;
5. Marrja e vendimeve do të jetë transparente (Këshilli i Fakultetit, Departamentet, Kolegjiumet) me qëllim të rritjes së cilësisë së vendim marrjes. Trajtimi i çështjeve konfliktuale si ndërmjet stafit dhe studentëve do të bëhet me kujdes dhe prioritet;
6. Tre prodekanët e propozuar (66.66% vajza dhe gra dhe 33,33 burra) shpresoj që do ta rrisin produktivitetin dhe operacionalitetin e punëve;
7. Strategjia e zhvillimit shoqëror bazohet në metodën 10e  që përfshin hapat e rëndësishëm për integrimin e të rinjve në EU: edukimin, ekonominë, e-biznesin, ekologjinë, energjinë, eko ushqimin, etnologjinë, etikën, estetikën;
8. Kushte për krijimin e vizionit të ekipit të studentëve “student i vitit”- zgjidhet studenti i rëndësishëm, profesori i rëndësishëm, partneri i dëshiruar nga ekonomia;
9. Do të formohet kolegji i inxhinierëve të makinerisë në Kosovë dhe çmimi për arritje jetësore (Lifetime Achievement Award) do të jetë tradicional në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Çmimi do të emërtohet në bazë të personaliteteve të shquara nga radhët e Profesorëve të cilët kanë kontribuar në zhvillimin dhe promovimin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Kosovë dhe jashtë sajë;
10. Investime dhe modernizimi i bibliotekës në koordinim me FIEK dhe FIN.


      Biblioteka  do të përbehet  nga këto zona:
• Zona e motivimit (ndodhen librat, në to vendosen citate që kanë të bëjnë me motivimin e studentëve);
• Zona e qetësisë (hapësirat për mësim);
• Zona e  dhomave të mençura (biblioteka elektronike);
• Zona e pushimit (hapësirë në formë restoranti dhe bufeje në të cilën do të punojnë dhe menaxhojnë vetë studentët). Mund të blihet si formë dyqani dhe librarie. Projekti në bashkëpunim  më fakultetin e arkitekturës.

    Deklarata

Nuk kam interes financiar privat në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

 

"Programi i punës së dekanit"  © mirlindbruci2024
Prishtinë, 01 Tetor 2024