Në fillim të kësaj jave, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) në kuadër të Universitetit të Prishtinës dhe Oda e Inxhinierëve të Kosovës (OIRK) kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre përmes një marrëveshjeje institucionale.
Marrëveshja u nënshkrua nga dekani i FIM-it, prof. Mirlind Bruçi, dhe kryetari i OIRK-së, z. Rasim Rapuca, në një ceremoni të mbajtur në ambientet e fakultetit. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe nënkryetarja e OIRK-së, znj. Mimoza Mjekiqi Shahini, dhe prodekanja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe çështje akademike në FIM, prof. Arlinda Alimehaj Rrecaj.
Kjo marrëveshje parasheh thellimin e bashkëpunimit në fushën e inxhinierisë, duke përfshirë shkëmbimin e njohurive, përfshirjen e profesionistëve të OIRK-së në aktivitete akademike dhe kërkimore të FIM-it, përkrahjen e zhvillimit të vazhdueshëm profesional për studentët dhe stafin akademik, si dhe projekte të përbashkëta që lidhen me zhvillimin e industrisë dhe infrastrukturës teknike në Kosovë.
Dekani prof. Mirlind Bruçi theksoi rëndësinë e ndërlidhjes së akademisë me profesionin dhe tregun e punës:
“Kjo marrëveshje është një hap konkret drejt fuqizimit të rolit të inxhinierisë në zhvillimin e vendit tonë dhe një mundësi që studentët tanë të kenë qasje më të drejtpërdrejtë në përvojën profesionale të inxhinierëve të licencuar.”
Ndërsa kryetari i OIRK-së, Rasim Rapuca, shprehu gatishmërinë për të ofruar përkrahje për studentët dhe për projekte që avancojnë praktikën inxhinierike në përputhje me standardet profesionale.
Të dy institucionet u zotuan të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta si trajnime, punëtori, konferenca dhe platforma bashkëpunimi, duke e shndërruar marrëveshjen në një mjet konkret të bashkëveprimit profesional dhe akademik.