Sot më 07.07.2025, dekani i FIM, Prof. Mirlind Bruçi dhe prodekanja Prof. Arlinda Alimehaj Rrecaj pritën në takim përfaqësuesit e kompanisë Mokne, drejtorin e shitjes Rrezart Sadiku dhe drejtorin financiar Engjëll Ujkani. Në këtë takim, me dakordimin e dy palëve, u formalizua marrëveshja ndërmjet dy institucioneve.
Kjo marrëveshje kishte për fokus shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim në krijimin e hapësirave për praktika dhe punësim, përsosjen e aftësive profesionale të studentëve dhe të diplomuarve të FIM, si dhe angazhimin në hulumtime dhe projekte të përbashkëta shkencore, vendore dhe ndërkombëtare. Një aspekt i rëndësishëm i marrëveshjes është edhe mbështetja financiare për aktivitete dhe evente akademike në FIM.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, kompania Mokne do të jetë sponsor i Kongresit Ndërkombëtar të Inxhinierisë Mekanike – ICME 2025 që do të mbahet sivjet në FIM, një ndër ngjarjet më të rëndësishme shkencore të organizuara nga FIM. Kjo mbështetje përfaqëson një angazhim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e shkencës dhe inovacionit në vend.
Mokne, si një fabrikë moderne dhe e jashtëzakonshme, operon direkt nga malet e mrekullueshme të Moknes dhe ka sjellë një frymë të re në zonë, duke qenë simbol i rritjes ekonomike vendore dhe një lider në krijimin e mundësive të reja për të rinjtë.