FIM nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me LOGING Electronics sh.p.k. – Dega Kosovë

12 Qershor 2025
SHARE

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) ka nënshkruar sot me datë 12 Qershor 2025 një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë LOGING Electronics sh.p.k. – Dega Kosovë. Me këtë rast, Dekani i FIM-it, Prof. Ass. Dr. Mirlind Bruçi, së bashku me Prodekanët Dr. Arlinda Alimehaj-Rrecaj dhe Dr. Xhevahir Bajrami, pritën në takim formal Drejtorin e Përgjithshëm të LOGING Electronics, z. Zlatko Krstevski, si dhe Menaxherin e Degës në Kosovë, inxhinierin Besart Ibrahimi.

Gjatë takimit u nënshkrua marrëveshja që synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet sektorit akademik dhe atij industrial, duke krijuar mundësi konkrete për studentët dhe stafin akademik të FIM-it. Marrëveshja parasheh ofrimin e praktikave profesionale me pagesë për studentët, angazhimin në projekte të përbashkëta kërkimore dhe ndërkombëtare, shkëmbimin e përvojës profesionale dhe ekspertizës teknike si dhe organizimin e trajnimeve dhe seminareve të përbashkëta.

LOGING Electronics sh.p.k. – Dega Kosovë është pjesë e një rrjeti ndërkombëtar me seli në Maqedoninë e Veriut dhe vepron në fushën e teknologjisë dhe elektronikës industriale. Kompania është e specializuar në zhvillimin dhe zbatimin e zgjidhjeve automatike industriale, sistemeve të kontrollit, elektronikës së avancuar dhe integrimin e teknologjisë në sektorë të ndryshëm, përfshirë energjetikën, prodhimin dhe inxhinierinë mekanike.