Studentët e Departamentit të Komunikacionit dhe Transportit realizuan vizitë studimore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

27 Shkurt 2026
SHARE

Studentët e Departamentit të Komunikacionit dhe Transportit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike realizuan një vizitë studimore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari, me qëllim të njohjes nga afër me funksionimin dhe menaxhimin e operacioneve në sektorin e transportit ajror.

Vizita u zhvillua nën organizimin dhe përcjelljen e Shefit të Departamentit, Prof. Gëzim Hoxha, Prof. Rifat Krasniqi dhe Prodekanes Prof. Arlinda A. Rrecaj.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me organizimin dhe menaxhimin e operacioneve aeroportuale, duke ndjekur me interes të veçantë proceset që lidhen me koordinimin e fluturimeve, menaxhimin e trafikut ajror, si dhe procedurat e lansimit dhe aterimit të aeroplanëve. Përfaqësuesit profesionalë të aeroportit ofruan shpjegime të detajuara edhe mbi aspektet e sigurisë operative, menaxhimin e situatave emergjente dhe bashkëpunimin ndërmjet njësive të ndryshme funksionale brenda aeroportit.

Në këtë kuadër, studentëve iu shpjegua ndërlidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet natyrës së studimeve të tyre në fushën e Komunikacionit dhe Transportit dhe operacioneve komplekse të aeroportit. Ata u njohën me rolin e inxhinierisë së komunikacionit në planifikimin dhe menaxhimin e trafikut ajror dhe tokësor, organizimin e rrjedhave të pasagjerëve dhe mjeteve në zonën aeroportuale, si dhe në zbatimin e standardeve të sigurisë dhe menaxhimit të rrezikut.  Kjo vizitë studimore u mundësoi studentëve të ndërlidhin njohuritë teorike të fituara gjatë studimeve me praktikën reale profesionale, duke krijuar një pasqyrë më të qartë mbi rolin dhe përgjegjësitë e inxhinierëve të komunikacionit dhe transportit në sektorin e transportit ajror.

Përveç përfitimit akademik për studentët, vizita shërbeu edhe si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional. Stafi akademik dhe përfaqësuesit e Aeroportit diskutuan mundësitë për shtrirjen e bashkëpunimit në të ardhmen përmes nënshkrimit të një Memorandumi të Mirëkuptimit, i cili synon zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në industrinë e aviacionit, përgatitjen profesionale të studentëve në fushat e kontrollit, infrastrukturës dhe menaxhimit, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta akademike dhe profesionale.

Vizita në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës përfaqëson një përvojë të rëndësishme praktike për studentët e Departamentit të Komunikacionit dhe Transportit dhe një hap konkret drejt afrimit të arsimit universitar me nevojat reale të tregut të punës në sektorin e transportit ajror.