Në kuadër të kampanjës “Si mendon një inxhinier”, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike mirëpriti në vizitë stafin e Institucionit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional “Tafil Kasumaj” nga Deçani, së bashku me maturantët e profilit TIK, të udhëhequr nga drejtori Lan Stojkaj.
Në këtë vizitë, maturantët patën mundësinë të njihen nga afër me drejtimet që ofron Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, me ambientet e fakultetit, laboratorët dhe pajisjet bashkëkohore që përdoren në procesin mësimor dhe praktik. Ata u informuan për mundësitë e studimit në FIM, për planprogramet akademike, si dhe për përfitimet që ofron formimi profesional në fushat e inxhinierisë.
Maturantët u njoftuan se Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ofron këto programe studimore: Prodhimtari dhe Inxhinieri Industriale, Termoenergjetikë dhe Energji të Ripërtëritshme, Dizajn Inxhinierik dhe Automjete, Komunikacion dhe Transport, si dhe Mekatronikë. Përmes prezantimit të këtyre drejtimeve, ata patën mundësinë të kuptojnë më mirë mundësitë akademike dhe profesionale që hapen për studentët e ardhshëm të FIM-it.
Gjatë qëndrimit në fakultet, maturantët vizituan laboratorët e programeve përkatëse, ku stafi i FIM prezantoi pajisjet dhe mundësitë praktike që u ofrohen studentëve gjatë studimeve. Përmes këtyre prezantimeve, ata patën rastin të kuptojnë më mirë rolin e inxhinierit në zgjidhjen e problemeve praktike, në zhvillimin teknologjik dhe në ndërtimin e karrierës profesionale.
Kjo vizitë kishte për qëllim afrimin e maturantëve me botën akademike dhe profesionale të inxhinierisë, duke i inkurajuar ata që Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike ta shohin si një mundësi reale për vazhdimin e studimeve. Maturantët, të cilët janë në përfundim të shkollimit të mesëm, mund të jenë studentë potencialë të njërit prej drejtimeve që ofron FIM.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike mbetet i përkushtuar në krijimin e urave të bashkëpunimit me institucionet e arsimit të mesëm profesional, me qëllim orientimin sa më të mirë të të rinjve drejt fushave inxhinierike dhe zhvillimit të tyre akademik e profesional.





