Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike priti profesoreshat nga Universiteti i Zagrebit në kuadër të diskutimeve për bashkëpunim akademik

14 Maj 2026
SHARE

Në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike u realizua një takim shumë pozitiv dhe përmbajtësor ndërmjet përfaqësuesve të Fakultetit dhe profesoreshave nga Universiteti i Zagrebit, Kroaci.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi, së bashku me prodekanet Prof. Bukurije Hoxha, Prof. Arlinda Alimehaj Rrecaj dhe Prof. Xhevahir Bajrami, pritën profesoreshat nga Universiteti i Zagrebit, përkatësisht Prof. Lidija Ćurković, profesoreshë e rregullt në Universitetin e Zagrebit, dhe Prof. Dr. Irena Žmak, profesoreshë e rregullt në Universitetin e Zagrebit, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Arkitekturës Detare, Departamenti i Materialeve. Profesoresha nga Universiteti i Zagrebit ishin të shoqëruara nga Prof. Mihone Kerolli, Rektore e Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë.

Gjatë takimit u zhvilluan biseda konstruktive, të cilat kishin për synim shqyrtimin e mundësive konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Arkitekturës Detare të Universitetit të Zagrebit. Diskutimet u fokusuan në mundësitë e bashkëpunimit akademik, shkëmbimit të stafit dhe studentëve, zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta mësimore e kërkimore, si dhe në krijimin e urave të reja institucionale ndërmjet dy universiteteve.

Profesoresha Lidija Ćurković dhe Irena Žmak, të cilat po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një mobiliteti akademik disaditor, patën rastin të vizitojnë hapësirat e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe të njihen më për së afërmi me punën akademike, laboratorike dhe kërkimore që zhvillohet në Fakultet. Dekani Prof. Mirlind Bruçi u prezantoi mysafireve një pjesë të ambienteve të Fakultetit, laboratorët, infrastrukturën mësimore, si dhe mënyrën e organizimit të procesit mësimor dhe punës me studentë.

Mysafiret shprehën përshtypje shumë pozitive për angazhimin institucional, kapacitetet ekzistuese laboratorike dhe orientimin zhvillimor të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike. Ato vlerësuan gjithashtu gatishmërinë e stafit akademik për të ndërtuar bashkëpunime të qëndrueshme dhe me ndikim në fushën e inxhinierisë mekanike, materialeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua mundësisë së formalizimit të bashkëpunimit përmes një Memorandumi të Mirëkuptimit, i cili pritet të konkretizohet në një të ardhme të afërt. Një marrëveshje e tillë do të krijonte bazë të rëndësishme institucionale për shkëmbime akademike, projekte të përbashkëta kërkimore, zhvillim të kapaciteteve profesionale dhe harmonizim të mëtejshëm të programeve studimore.

Kjo nismë merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se disa nga kurrikulat e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike janë të orientuara dhe të ndërtuara duke marrë për bazë përvoja, modele dhe planprograme të universiteteve evropiane, përfshirë edhe Universitetin e Zagrebit. Për këtë arsye, bashkëpunimi me një institucion të tillë akademik paraqet mundësi të rëndësishme për avancimin e cilësisë së studimeve, përforcimin e dimensionit ndërkombëtar të Fakultetit dhe rritjen e mundësive për studentët dhe stafin akademik.