Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës vizituan Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike

11 Maj 2026
SHARE

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike mirëpriti studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës, të shoqëruar nga profesorët Prof. Jonida Teta, Prof. Eralda Xhafka dhe Prof. Erald Piperi. Vizita u realizua në kuadër të forcimit të bashkëpunimit akademik ndërmjet dy fakulteteve homologe nga Kosova dhe Shqipëria, me qëllim shkëmbimin e përvojave, njohurive dhe praktikave të mira në fushën e inxhinierisë mekanike.

Studentët dhe profesorët mysafirë u pritën nga Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Mirlind Bruçi, së bashku me stafin akademik të fakultetit. Në takimin mirëseardhës, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional, mobilitetit akademik dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillimin profesional të studentëve dhe stafit akademik në të dyja vendet.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen nga afër me ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, laboratorët mësimorë dhe kërkimorë, si dhe pajisjet laboratorike që përdoren në procesin akademik, shkencor dhe profesional. Dekani Prof. Mirlind Bruçi udhëhoqi vizitën në laboratorë, duke prezantuar funksionin e pajisjeve, mënyrën e përdorimit të tyre në mësimdhënie dhe rolin që ato kanë në përgatitjen praktike të studentëve.

Në kuadër të kësaj vizite, Prof. Bruçi mbajti gjithashtu një ligjëratë shpjeguese për rëndësinë e laboratorëve në formimin e kompetencave profesionale të studentëve. Ai theksoi se pajisjet laboratorike dhe puna praktike janë elemente kyçe në ndërlidhjen e njohurive teorike me aplikimin praktik, duke u mundësuar studentëve të zhvillojnë aftësi analitike, teknike dhe profesionale të nevojshme për tregun e punës dhe për sfidat bashkëkohore të industrisë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të Institutit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në zhvillimin dhe realizimin e ekspertizës profesionale. Përmes kapaciteteve laboratorike dhe ekspertizës së stafit akademik, Instituti kontribuon në ofrimin e shërbimeve profesionale, analizave teknike, testimeve, matjeve dhe zgjidhjeve inxhinierike për nevojat e industrisë, institucioneve dhe komunitetit më të gjerë profesional

Vizita e studentëve dhe profesorëve nga Tirana dëshmon përkushtimin e të dy institucioneve për të forcuar lidhjet akademike Kosovë–Shqipëri dhe për të krijuar mundësi konkrete për bashkëpunim afatgjatë. Përmes aktiviteteve të tilla, studentët vendosen në qendër të zhvillimit akademik, duke përfituar nga përvoja të reja, njohuri praktike dhe modele bashkëpunimi që tejkalojnë kufijtë institucionalë