FIM në Takim bashkëpunimi me Technical University of Cluj-Napoca (Rumani)

03 Prill 2026
SHARE

Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike u zhvillua një takim zyrtar me përfaqësues nga Technical University of Cluj-Napoca, universitet prestigjioz nga Rumania, me qëllim shqyrtimin e mundësive për vendosjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet dy institucioneve. Delegacioni nga universiteti partner u përfaqësua nga profesori Pop Gregore Marian, i cili u prit nga dekani Prof. Mirlind Bruçi dhe stafi akademik i FIM, në një takim pune të karakterit institucional. Prof. Pop Gregore Marian është professor në fushën e Industrial Engineering, Robotics and Production Management.

Gjatë takimit u diskutuan në mënyrë të detajuar mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet departamenteve përkatëse të Technical University of Cluj-Napoca (Rumani), përfshirë Departamentin e Inxhinierisë Industriale, Robotikës dhe Menaxhimit të Prodhimit, Departamentin e Inxhinierisë Mekanike, si dhe Departamentin e Materialeve dhe Inxhinierisë së Mjedisit, në raport me departamentet homologe të njësisë sonë, konkretisht Departamentin e Mekatronikës dhe Departamentin e Prodhimtarisë me Inxhinieri Industriale. Në këtë kuadër, palët shprehën gatishmëri të plotë për të avancuar drejt një bashkëpunimi të strukturuar dhe afatgjatë, i cili do të mbështetet në interesa të përbashkëta akademike dhe shkencore.

Bashkëpunimi i propozuar pritet të përfshijë zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore në fusha të tilla si robotika industriale, automatizimi dhe teknologjitë e avancuara të prodhimit, shkëmbimin akademik të stafit dhe studentëve përmes programeve të mobilitetit ndërkombëtar, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore si konferenca dhe punëtori, si dhe përfshirjen në projekte ndërkombëtare, veçanërisht në kuadër të programeve evropiane për kërkim dhe inovacion. Gjithashtu, u diskutua mundësia e zhvillimit të kurrikulave të përbashkëta, me synim harmonizimin e përmbajtjeve mësimore dhe integrimin e praktikave më të mira akademike dhe industriale.