Sot, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike (FIM), u mbajt një ligjëratë informuese për studentët, e fokusuar në rolin dhe rëndësinë e metrologjisë në zhvillimin industrial dhe profesional.
Në këtë sesion ligjëruan: Bujar Istogu, Drejtor i Agjencisë së Metrologjisë në kuadër të MINT, me temën “Roli i Metrologjisë në Kosovë”, ku u trajtua rëndësia e sistemit të matjeve të standardizuara për zhvillimin ekonomik, rritjen e cilësisë së produkteve dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare; dhe Avdullah Jasiqi, Udhëheqës i Divizionit të Matjes së Forcës dhe Presionit, MINT, me temën “Kalibrimi i instrumenteve matëse – rëndësia, metodat dhe pasiguria e matjes”, duke elaboruar aspektet praktike dhe teorike të kalibrimit, si dhe ndikimin e pasigurisë së matjes në proceset industriale dhe laboratorike.
Hapjen e sesionit e bëri Prodekanja, Arlinda Alimnehaj Rrecaj, e cila theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve të tilla për përgatitjen profesionale të studentëve dhe forcimin e lidhjes ndërmjet akademisë dhe industrisë.
Gjatë ligjëratës, studentët treguan interesim të lartë, duke u angazhuar në diskutime dhe duke parashtruar pyetje të shumta lidhur me rëndësinë e proceseve të matjes dhe zbatimin praktik të metrologjisë në industri.
Në këtë kontekst, u theksua edhe rëndësia e metrologjisë në formimin profesional të studentëve, si themel i inxhinierisë së saktë dhe bazë për çdo proces projektimi, prodhimi apo testimi. Përmes saj, studentët zhvillojnë aftësi praktike në përdorimin e instrumenteve matëse, interpretimin e rezultateve dhe kontrollin e devijimeve, duke rritur ndjeshëm mundësitë e tyre për punësim në industri, laboratorë dhe sektorë teknikë. Njëkohësisht, metrologjia siguron përputhshmëri me standardet ndërkombëtare dhe kontribuon në ndërtimin e mendimit analitik, saktësisë dhe përgjegjësisë profesionale.
Siç u theksua edhe gjatë ligjëratës: “Metrologjia nuk është vetëm matje – është bazë e cilësisë, sigurisë dhe profesionalizmit që i përgatit studentët tanë për tregun bashkëkohor të punës.”




