Profesori nga Universiteti i Prishtinës përzgjidhet në listën e ngushtë të European Robotics Forum 2026

26 Mars 2026
SHARE

Profesori i Asociuar Dr. Ramadan Mazrekaj nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin “Sustainability Leadership Recognition in Robotics 2026”, i cili prezantohet në kuadër të European Robotics Forum 2026.

Ky forum është një nga ngjarjet më të rëndësishme në Evropë në fushën e robotikës dhe organizohet nga euRobotics, duke mbledhur studiues, kompani dhe institucione kërkimore nga e gjithë Evropa.

Projekti i përzgjedhur, i zhvilluar nga Prof. Mazrekaj, lidhet me konceptin e platformës robotike modulare Robomark, e cila synon të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme për operacionet e infrastrukturës rrugore, përmes përdorimit të një platforme robotike të vetme që mund të integrojë module të ndryshme funksionale për inspektim, mirëmbajtje dhe monitorim. 

Juria e këtij vlerësimi ka theksuar veçanërisht ndikimin potencial të këtij projekti në zhvillimin e robotikës së qëndrueshme dhe në transformimin e mënyrës se si monitorohet dhe mirëmbahen infrastruktura rrugore.

Në këtë kuadër, Prof. Mazrekaj është ftuar të prezantojë projektin gjatë një sesioni workshop në datën 25 mars 2026 në Stavanger, Norvegji, si pjesë e programit zyrtar të forumit.

Kjo përfaqëson një arritje të rëndësishme për Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe komunitetin shkencor në Kosovë, duke dëshmuar potencialin e kërkimit shkencor në zhvillimin e zgjidhjeve inovative në robotikë dhe infrastrukturë.

Në këtë aktivitet, Prof. Mazrekaj është shoqëruar nga Prof. Afrim Gjelaj dhe MSc. Mehmet Zeqiraj gjatë periudhës 22–28 mars 2026.