Sot, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM), Prof. Dr. Mirlind Bruçi, së bashku me prodekanet Arlinda Alimehaj Rrecaj dhe Xhevahir Bajrami, priti në një takim zyrtar Drejtoren e Përgjithshme të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK), znj. Sebahate Bushrani-Ibrahimi, si dhe z. Bujar Istogu, Drejtor në Metrologjinë Shkencore dhe Industriale, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Takimi shërbeu si pikënisje për formalizimin e një Memorandumi të Bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës. Bashkëpunimi i planifikuar synon fusha konkrete dhe me interes të ndërsjellë, përfshirë organizimin e cikleve të ligjëratave profesionale për studentët e departamenteve: Prodhimtari Industriale me Menaxhment, Dizajn Inxhinierik, Mekatronikë, Termoenergjetikë dhe Energji e Ripërtëritshme, Komunikacion dhe Transport, me fokus të veçantë në metrologji, standardizim dhe sigurim të cilësisë.
Gjatë takimit, Dekani Prof. Dr. Mirlind Bruçi i informoi zyrtarët e MINT-it për strukturën akademike dhe departamentet e studimit në FIM, nivelin e lartë të punësimit të të diplomuarve të fakultetit, si dhe për rëndësinë e përgatitjes së studentëve me kompetenca profesionale dhe praktike, të domosdoshme për zhvillimin industrial dhe teknologjik të vendit. Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë strategjike të bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet FIM-it dhe MINT-it, si një faktor kyç për harmonizimin e programeve studimore me nevojat e tregut të punës dhe industrisë.
Po ashtu, gjatë takimit u prezantua misioni dhe veprimtaria e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, si institucioni i vetëm shtetëror përgjegjës për metrologjinë, i cili vepron në përputhje me Ligjin për Metrologjinë dhe aktet nënligjore përkatëse. U theksua roli i AMK-së në ruajtjen dhe zhvillimin e etalonëve kombëtarë, mbrojtjen e konsumatorit, verifikimin dhe kalibrimin e mjeteve matëse, si dhe ofrimin e shërbimeve të kalibrimit për industrinë vendore dhe tregun ndërkombëtar.
Palët diskutuan gjithashtu për bashkëpunim të mundshëm në projekte të përbashkëta shkencore dhe aplikative, përfshirjen e stafit akademik dhe studentëve në aktivitetet laboratorike të Agjencisë, si dhe krijimin e mundësive për hapjen e studimeve të doktoratës në fusha të ndërlidhura me metrologjinë, standardizimin dhe infrastrukturën e cilësisë.
Bashkëpunimi i ardhshëm u vlerësua si tejet i frytshëm për të dy institucionet, duke kontribuar në ngritjen e cilësisë së studimeve, përgatitjen e kuadrove profesionale për tregun e punës, si dhe në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe projektuese të stafit të MINT-it. Gjithashtu, u theksua se priten bisedime të mëtejshme edhe me departamentet e standardizimit dhe akreditimit, si tri shtylla kryesore të infrastrukturës së cilësisë, të cilat përbëjnë elemente thelbësore për funksionimin e mirëfilltë të shtetit.
Në përmbyllje të takimit, Dekani i FIM-it, Prof. Dr. Mirlind Bruçi, u dhuroi zyrtarëve të MINT-it mirënjohje dhe një dhuratë simbolike me logon e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të punuar nga studentët e FIM-it në laboratorët e fakultetit, si shenjë respekti, vlerësimi dhe angazhimi për bashkëpunim të qëndrueshëm në të ardhmen.


