Dekani i FIM takon Konsullin e Malajzisë për bashkëpunim në arsim

19 Dhjetor 2025
SHARE

Dekani i Fakultetit të FIM, Prof. Mirlind Bruçi priti në një takim pune Konsullin e Malajzisë, Prof. Assoc. Islam Hasani. Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i mundësive të reja të bashkëpunimit akademik, si dhe zgjerimi i horizonteve arsimore për studentët nga Kosova.

Gjatë bisedës u trajtuan sfidat aktuale me të cilat përballet arsimi në Kosovë, por edhe përparësitë dhe potenciali i tij në raport me rajonin dhe botën islame. U theksua nevoja për rritjen e cilësisë në arsim, për ndërkombëtarizimin e studimeve dhe për krijimin e urave të reja të bashkëpunimit me universitete prestigjioze jashtë vendit.

Prof. Assoc. Islam Hasani shprehi gatishmwëri për të ofruar mbështetje në krijimin e kontakteve dhe bashkëpunimeve të drejtpërdrejta me universitete në Malajzi, me theks të veçantë me fakutetet e fushave të inxhinierisë. Në këtë kontekst, u diskutuan mundësitë konkrete për ofrimin e bursave në kuadër të programit MTCP për studentët e nivelit Bachelor dhe Master, me qëllim që të rinjtë nga Kosova të përfitojnë nga programet cilësore studimore në Malajzi.

Palët po ashtu diskutuan edhe për format e bashkëpunimit ndërsjellë në fushën e shkëmbimit të stafit akademik, organizimit të konferencave të përbashkëta, projekteve kërkimore, si dhe mobilitetit të studentëve.