Në Fakultetin FIM u inaugurua sot Laboratori i ri “Neptun”, një hapësirë moderne e dedikuar mësimit praktik dhe zhvillimit profesional të studentëve. Ky laborator është realizuar falë donacionit të Neptun Kosova dhe Fondacionit Mane, si dhe angazhimit të veçantë të CEO-së së Neptun Kosova, Feridian Çiftja, me bashkëpunëtorë.
Laboratori “Neptun” përbën një mbështetje të madhe për pjesën praktike të mësimit në planprogramet e fakultetit, duke u ofruar studentëve kushte më të mira për ushtrime praktike dhe aplikim të njohurive teorike. Ky donacion është gjithashtu dëshmi e shtrirjes së bashkëpunimit të FIM me kompanitë private, në dobi të studentëve dhe përgatitjes së tyre sa më cilësore për tregun e punës.
Fakulteti FIM shpreh mirënjohjen e thellë për Neptun Kosova, Fondacionin Mane dhe të gjithë kontribuesit që bënë të mundur krijimin e këtij laboratori, i cili pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në cilësinë e studimeve dhe zhvillimin profesional të gjeneratave të reja të inxhinierëve.

