Agjencia për Pronësi Industriale e Republikës së Kosovës ka miratuar dhe njohur patentën me numër 1167 me titull “Ventilatori mekanik me lidhje rivepruese të rregullimit”, shpikje e Prof. Dr. Arbnor Pajaziti, profesor në Departamentin e Mekatronikës, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, Universiteti i Prishtinës.
Sipas vendimit zyrtar të Agjencisë, aplikacioni për patentë është depozituar me numër KS/P/2024/4 më 02.02.2024, ndërsa patenta njihet në bazë të përshkrimit dhe figurave të paraqitura në aplikacion dhe vlen deri më 02.02.2044. Pronari i patentës është Universiteti i Prishtinës, ndërsa shpikës figuron Prof. Dr. Arbnor Pajaziti. Kontribut të veçantë ne krijimin e patentës ka dhënë i diplomuari në FIM, tashmë inxhinieri I suksesshëm Petrit Abdyli.
Kjo patentë përfaqëson një zgjidhje inovative në fushën e ventilimit mekanik, me sistem riveprues të rregullimit, e cila ka potencial të rëndësishëm aplikativ në industri dhe në sisteme ku kërkohet kontroll i avancuar i procesit të ventilimit. Njohja zyrtare e shpikjes dëshmon nivelin e lartë profesional dhe shkencor të stafit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe e vendos Departamentin e Mekatronikës edhe më fuqishëm në hartën e inovacionit dhe kërkimit aplikativ në vend.
Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike e vlerëson këtë arritje si një moment të rëndësishëm krenarie, jo vetëm për profesorin Pajaziti, por edhe për gjithë komunitetin akademik dhe studentët që frymëzohen nga shembuj konkretë të krijimtarisë shkencore dhe teknologjike.
Kjo njohje e re e patentës është dëshmi e qartë se puna kërkimore e stafit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike po konkretizohet në rezultate të prekshme, që kontribuojnë në zhvillimin e inxhinierisë dhe industrisë në Kosovë.
