Delegacioni i LuxDev dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë viziton Qendrën e Inovacionit në FIM

19 Dhjetor 2025
SHARE

Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) priti në një vizitë zyrtare delegacionin e përbërë nga znj. Laura Zherka, Drejtore e Departamentit të Inovacionit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT); znj. Vanessa Stoz, Menaxhere e Projektit KSV/023 në LuxDev; si dhe znj. Golola Ruhani, eksperte e inovacionit nga LuxDev.
Delegacioni u mirëprit nga drejtuesit e FIM-it dhe Qendrës së Inovacionit, ku u zhvilluan diskutime të detajuara mbi strategjinë kombëtare të inovacionit në Kosovë, format e institucionalizuara të bashkëpunimit të ardhshëm, projektet inovative që aktualisht janë në fazë zhvillimi, si dhe kapacitetet njerëzore e teknologjike të fakultetit.
Gjatë vizitës, mysafiret patën mundësinë të takohen me studentë, staf akademik si dhe me biznese të udhëhequra nga studentët e studimeve master, të cilat operojnë brenda hapësirave të Qendrës së Inovacionit. Në këto takime u shkëmbyen ide mbi rëndësinë e ndërmarrësisë së re (start-up), inovacionit si motor zhvillimi, si dhe nevojën për ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve profesionale të të rinjve për tregun modern të punës.
Dekani i FIM-it shprehu mirënjohje të veçantë për qeverinë dhe popullin e Luksemburgut, duke vlerësuar lart kontributin e tyre të qëndrueshëm në avancimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit në Kosovë.
Mysafiret u informuan gjithashtu mbi aktivitetet e mbështetura nga projekti “Shkathtësi për punësim të qëndrueshëm në Kosovë” (KSV/023), i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me LuxDev, Agjencinë për Bashkëpunim Zhvillimor të Luksemburgut. Në kuadër të këtij projekti, dy shpërblimet e para, në vlerë prej 4 000 euro dhe 3 000 euro, iu ndanë studentëve të FIM-it për rezultatet e tyre të jashtëzakonshme dhe projektet inovative me potencial aplikativ në industri.