Sot, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike (FIM), u mbajt mbledhja konstituive e Trupës Këshillëdhënëse të fakultetit, organ këshillëdhënës me rol strategjik në zhvillimin e proceseve akademike, kërkimore dhe bashkëpunimit me industrinë dhe shoqërinë.
Takimin e hapi me një fjalë përshëndetëse dekani i FIM-it, Mirlind Bruçi, i cili theksoi rëndësinë e funksionalizimit të kësaj trupe për avancimin e mëtejmë të cilësisë akademike dhe forcimin e lidhjeve të fakultetit me tregun e punës dhe akterët relevantë institucionalë.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Rektorati, gjegjësisht nga Divizioni për Zhvillim Akademik, Cilësi dhe Monitorim si dhe 15 anëtarë të emëruar të Trupës Këshillëdhënëse, bashkë me tre anëtarë ex officio nga stafi menaxhues i FIM.
Gjatë fjalës së saj, prodekanja për Shkencë dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, Arlinda Alimehaj-Rrecaj, falënderoi anëtarët për gatishmërinë e tyre dhe theksoi se Trupa Këshillëdhënëse është një mekanizëm i gjallë komunikimi ndërmjet fakultetit, industrisë, institucioneve publike dhe komunitetit profesional, jo fitimprurës dhe i bazuar në vullnetin e mirë të anëtarëve, me mision përmirësimin e cilësisë së studimeve dhe përafrimin e programeve të FIM-it me nevojat reale të tregut të punës, veçanërisht në fushat: Termo energjetikës dhe Energjeve të Ripërtëritshme; Prodhimtarisë dhe Inxhinierisë Industriale dhe Menaxheriale; Mekatronikës; Dizajnit Inxhinierik dhe Automjeteve; Komunikacionit dhe Transportit. Ajo shtoi se se ky formacion – Trupa Këshillëdhënëse – është jo fitimprurëse dhe bazohet në vullnetin e mirë dhe përkushtimin e anëtarëve të saj, për të ndihmuar Njësinë Akademike dhe UP-në në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë në fushën tonë të veprimtarisë. Ky trup është menduar si një mekanizëm i qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet universitetit, tregut të punës dhe komunitetit profesional.
Bazuar në dokumentin themelor për organizimin e TK-së, më lejoni të theksoj disa prej roleve kryesore që e bëjnë këtë trup kaq të rëndësishëm.
Menjëherë pas konstituimit të Trupës Këshillëdhënëse, dekani i FIM-it u rezervoi anëtarëve të saj një zyrë të dedikuar brenda hapësirave të fakultetit, pranë strukturave udhëheqëse, ku shprehu gatishmërinë e tij dhe të menaxhmentit për bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje të vazhdueshme në realizimin e misionit të këtij organi.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Trupës Këshillëdhënëse arritën të nominojnë dhe zgjedhin për kryetar të trupës Prod. Dr. Shaqir Elezaj, ndërsa për nënkryetar u zgjodh Kushtrim Grainca. Me këtë, Trupa Këshillëdhënëse e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike u konstitua dhe është gati të fillojë punën e saj.
Pritet që kjo trupë të luajë një rol të rëndësishëm në harmonizimin e programeve studimore me nevojat e industrisë, rritjen e mundësive për praktika dhe punësim për studentët, si dhe në fuqizimin e ndikimit të kërkimit shkencor në ekonomi dhe shoqëri, në përputhje me objektivat strategjike të FIM dhe Universitetit.



