Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM) të Universitetit të Prishtinës, sot u inaugurua Bursa “Erblin Azizi”, një iniciativë e veçantë që do të ndahet për 20 vite radhazi për studentin apo studenten me notën mesatare më të lartë në vitet e fundit të studimeve.
Kjo bursë u themelua në bazë të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet dekanit të FIM, prof. dr. Mirlind Bruçi, dhe përfaqësuesve të Fondacionit “Erblin Azizi”, në nder të kujtimit dhe trashëgimisë së të ndjerit Erblin Azizi – ish-student shembullor dhe inxhinier i ri me karakter të fortë e pasion për dijen në Unjiuversitetin e Shkencave të Aplikuara në Cyrih të ZvicrCyrih të Zvicrës.
Ceremoninë e udhëhoqi prodekanja Arlinda A. Rrecaj, e cila në fillim të ngjarjes lexoi edhe një pjesë të biografisë së Erblin Azizi, duke sjellë para të pranishmëve kujtime e momente që pasqyronin personalitetin e tij të veçantë dhe përkushtimin ndaj studimeve.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe këshilltari i Kryeministrit në detyrë, z. Tein Mu, si dhe përfaqësues të komunitetit akademik, studentë dhe familjarë të të ndjerit.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe prekëse, të pranishmëve iu drejtua me një fjalim emocionues motra e të ndjerit, Kaltrina Azizi, e cila foli për karakterin e fortë, përkushtimin dhe dashurinë që Erblini kishte për dijen dhe punën. Ajo shprehu ndjenjën e thellë të nderit dhe krenarisë që çmimi i themeluar bart emrin e vëllait të saj, duke e cilësuar këtë nismë si një mënyrë të bukur për të mbajtur gjallë kujtimin e tij dhe për të motivuar brezat e rinj të studentëve.
Në fund të ceremonisë, dekani Bruçi i dorëzoi përfaqësuesve të fondacionit dy dhurata simbolike – emblemën e Universitetit të Prishtinës, si shenjë mirënjohjeje për këtë kontribut të çmuar në mbështetje të ekselencës akademike.
Fituese e Bursës “Erblin Azizi” u shpall studentja Elsa Kqiku, studente e vitit të tretë në departamentin Prodhimtari dhe Inxhinieri Industriale me Menaxhment, me notë mesatare të studimeve 9.55.


