U shënua 58-vjetori i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike – “Dita e FIM”

01 Nëntor 2025
SHARE

Në sallën e konferencave të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM) të Universitetit të Prishtinës u shënua 58-vjetori i themelimit të këtij fakulteti, në kuadër të ngjarjes tashmë tradicionale “Dita e FIM”.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të universitetit, profesorë, ish-pedagogë, studentë dhe bashkëpunëtorë nga Kosova e Shqipëria. Të pranishmëve iu drejtuan me fjalë përshëndetëse Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Arben Hajrullahu, si dhe dekani i FIM, prof. dr. Mirlind Bruçi.

Gjatë ceremonisë u theksua se Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nuk e pati të lehtë ekzistencën dhe zhvillimin e tij ndër vite. Megjithatë, sfidat e shumta, jo vetëm akademike, por edhe institucionale e shoqërore, e kanë bërë këtë fakultet më të fortë dhe më të qëndrueshëm, duke e kthyer në një nga shtyllat më të rëndësishme të arsimit teknik në Kosovë.

Në fjalimin e tij, dekani Bruçi theksoi rëndësinë e trashëgimisë akademike të fakultetit dhe rolin e gjeneratave që kanë formuar inxhinierët ndër vite. Ai shpërndau mirënjohje për kontributin akademik të profesorëve tashmë në pension, si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria – figurave që kanë ndërtuar themelet e inxhinierisë mekanike dhe kanë ndikuar në formimin e brezave të rinj të inxhinierëve.

Një mirënjohje e veçantë, tashmë e kthyer në traditë nën emrin “Bashkom Baholli”, iu nda profesorëve eminentë: akademik Jorgaq Kaqani, prof. Ahmet Geca dhe prof. Abdyl Bunjaku, për kontributin e tyre të çmuar në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor.

Në fjalën e tij përshëndetëse, akademik Jorgaq Kaqani vlerësoi rolin e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike si një vatër dijesh dhe përparimi për gjithë rajonin, duke theksuar nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm akademik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë ngjarje u ndanë edhe mirënjohje post mortem për profesorët që kanë dhënë një jetë të tërë arsimit në këtë fakultet. Mirënjohjet u pranuan me emocion nga familjarët e tyre, të cilët u përshëndetën me respekt të veçantë nga organizatorët. Në këtë kontekst, u theksua se në gjeneratat e reja gjithmonë kemi besuar në dijen tuaj, në përkushtimin dhe vizionin e profesorëve, të cilët për dekada kanë udhëhequr me shembull dhe kanë ndërtuar themelet e forta të inxhinierisë mekanike.
U theksua me mirënjohje se ju, profesorët tanë, do të mbeteni gjithmonë të parët – si pishtarë të dijes, frymëzues të brezave dhe gurë themeli të këtij fakulteti.
Mesazhi i përbashkët i kësaj dite ishte i qartë: të gjithë duhet të vazhdojnë të kontribuojnë në arsim, sepse vetëm përmes dijes dhe përkushtimit arrihet përparimi i vendit.

Në fjalimin e tij, dekani Bruçi vuri në pah se një nga synimet kryesore të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike është ndërkombëtarizimi i studimeve, rritja e renditjes në rrjetet ndërkombëtare të arsimit universitar në Evropë dhe botë, si dhe forcimi i integrimit institucional dhe akademik me universitetet partnere.

Në kuadër të festimeve u zhvillua edhe sfida kreative “Mechathon – Engineering a Sustainable Future”, e cila synon të nxisë ide të reja dhe të zbatueshme për një të ardhme të qëndrueshme në inxhinieri.

Dhjetë ekipe studentësh të FIM-it garuan me projekte inovative në fusha si energjia e gjelbër, burimet e ripërtëritshme, transporti i qëndrueshëm, inteligjenca artificiale, ekonomia qarkore, prodhimi i qëndrueshëm dhe ndërtesat e mençura. Garuesit u mentoruan nga profesorë të FIM dhe FIEK, ndërsa u ndanë çmimet për tre projektet më të mira.

Sponsori kryesor i “Mechathon” ishte ndërmarrësi i njohur Artan Kurteshi, përfaqësues i kompanisë WBS LLC Sh.p.k., e cila vepron në fushën e hidroizolimeve, përforcimeve strukturore dhe dyshemeve industriale. Ai vlerësoi bashkëpunimin me fakultetin dhe rolin e studentëve të rinj në zhvillimin e ideve inovative për të ardhmen e qëndrueshme të inxhinierisë. Për sfidën e Trivias-s, sponzor qenë kompanitë Boson e Loging.