Më 10 dhe 11 shtator 2025, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike në Prishtinë organizoi Kongresin Ndërkombëtar të Inxhinierisë Mekanike – ICME 2025, ngjarje dyditore që mblodhi rreth vetes profesorë të shquar e emeritus nga bota, sipërmarrës, përfaqësues të institucioneve dhe studentë.
Ceremoninë hapëse e udhëhoqi dekani i FIM-it, prof. Mirlind Bruçi, i cili përshëndeti folësit e ftuar, pjesëmarrësit, profesorët dhe studentët. Në fjalën e tij, ai nënvizoi rëndësinë e studimit të inxhinierisë mekanike për zhvillimin teknologjik, rritjen e kapaciteteve industriale, pasurimin e kompetencave profesionale dhe përgatitjen e studentëve për tregun e punës, si dhe ndikimin që kjo ka në zhvillimin ekonomik të vendit. Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, në fjalën e tij hapëse përmendi angazhimet e shumta të UP-së për lidhjen e studimeve me nevojat e industrisë, tregut të punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Ai theksoi se, për t’iu përgjigjur kërkesave të zhvillimit teknologjik, në UP është themeluar Qendra për Inteligjencë Artificiale – AIUP.
Presidenti i kongresit, Arbnor Pajaziti, në hyrje iu drejtua me mirëseardhje mysafirëve dhe shpjegoi rëndësinë e kongresit si dhe axhendën e tij. Përgëzime për këtë nismë dhe zotime për mbështetje të vazhdueshme dha drejtori i KIESA-s, Zef Dedaj, duke theksuar se aktivitete të tilla i kanë munguar Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike.
Folësi i parë i ftuar, Rexhep Gashi, anëtar i Shoqatës së Inxhinierëve të Zvicrës (AES), prezantoi temën “Ndotja, Mbrojtja e Mjedisit, Energjia e Ripërtëritshme, Termodinamika në Energjitë e Ripërtëritshme dhe Patentat Shkencore”. Më pas, prof. dr hab. Ing. Leszek Dobrzanski nga Polonia, një emër i njohur në fushën e prodhimit të pajisjeve mjekësore dhe dentare, mbajti prezantimin “Rëndësia e Dizajnit të Materialeve në Integrimin e Industrisë 4.0/5.0”. Nga Oakland University në SHBA, prof. dr. Ka C. Cheok kontribuoi me prezantimin “Aplikimi i Inteligjencës Artificiale në Inxhinieri”, ndërsa prof. Genci Capi solli prezantimin “Drejt Bashkëpunimit Njeri–Robot mbi bazën e sinjaleve EEG–EMG”.
Në ditën e parë, u zhvilluan dy sesione shkencore. Sesioni i prodhimit dhe inxhinierisë industriale, i udhëhequr nga Besart Berisha, solli punime mbi “Optimizimi dhe Parashikimi i Temperaturës së Veglës Prerëse gjatë përpunimit të Inconel 625 përmes Dizajnit Taguchi”; “Optimizimi përmes Simulimit dhe Prodhimi SLA i Tubave Venturi për Matjen e Diferencës së Presionit të Rrjedhës”; si dhe analiza mbi reduktimin e mbetjeve në depo. Ndërsa sesioni i mekatronikës, i udhëhequr nga Fatjon Beqa, përfshiu prezantime mbi “Inteligjencën Artificiale të Shpjegueshme (XAI) për Sistemet e Kontrollit”, “Zhvillimin dhe Vlerësimin e Kompensimit të Forcës së Krahut përmes sinjaleve sEMG”, “Metoda e bazuar në AI për Parashikimin e Çarjeve në Beton të Përforcuar” dhe “Sistemet e Integruara të Fuqizuara me AI për Matjen e Gazit dhe Presionit”.
Dita e dytë vazhdoi me sesionin e energjisë termike dhe të ripërtëritshme, të udhëhequr nga Arlinda Bresa, ku u prezantuan tema mbi “Zgjidhjet e Energjisë së Ripërtëritshme në Kosovë”, “Efikasiteti Energjetik dhe Tendencat Teknologjike në Sistemet e Ngrohjes dhe Klimatizimit” dhe “Analiza Tekno–Ekonomike e Sistemeve Termike Diellore për Ujë të Ngrohtë në Konvikte”.
Në një sesion paralel të kësaj fushe të udhëhequr nga Blerina Bylykbashi u prezantuan punimet: “Prodhimi i energjisë elektrike përmes përdorimit të mullinjve në lumenj, një studim rasti”, “Përdorimi i softuerit ETAP për analizën e impiantit të tokëzimit të nënstacionit 400 kV (Kashar), Tiranë, Shqipëri”, “Analiza e performancës energjetike të sistemeve fotovoltaike: një studim rasti në Kosovë” dhe “Energjia në Shqipëri: sfidat aktuale”. Krahas prezantimeve në sesione, në ambientet e FIM u ekspozuan gjithashtu tetë postera të përgatitur nga studentë dhe profesorë, me tematika nga fusha e makinerisë.
Në sesionin e komunikacionit dhe transportit, të udhëhequr nga zv. presidentja e kongresit, prof. Arlinda Alimehaj Rrecaj, zv. ambasadori kroat në Kosovë, Nedjeljko Spilek, prezantoi punimin “Ndikimi i Paqëndrueshmërisë së Industrisë së Konteinerëve në Çmimet e Produkteve Finale”. Në të njëjtin sesion u trajtuan gjithashtu temat mbi “Sinjalizimin në Hekurudha”. Punimi i profesorit të këtij departamenti prof. Ramadan Mazrekaj me titull “Auditimin e Sigurisë Rrugore” i prezentuar nga Liridon Sejdiu ngjalli kërshëri dhe debat në mes të audiences dhe folësve të ftuar; Në fund u prezentua punimi për “Mobilitetin si Shërbim për Personat me Nevoja të Veçanta”. Sesioni i fundit, ai i dizajnit inxhinierik dhe automjeteve, i udhëhequr nga prof. Riad Ramadani, përfshiu prezantime mbi “BIM për Hekurudha dhe Energji: Çelësi i Suksesit të Projekteve me Revizto”, “Dizajnin dhe Vlerësimin e Platformës së Lëvizshme Mecanum me Krah Robotik”, “Dizajnin e Lehtësuar të Pedaleve të Makinave përmes Optimizimit Topologjik dhe Potencialit të Prodhimit Aditiv” dhe “Rritjen Ekonomike përmes Investimeve të Huaja Direkte në Kosovën e sotme”.
Një rëndësi të veçantë pati sesioni “Akademia, Industria dhe Politika”, i kryesuar nga prof. dr. Zamir Dika, i cili mblodhi panelistë nga bota akademike, sipërmarrësia dhe institucionet qeveritare: Sven Tode (Flensburg University), Dodwell Manoharan (Flensburg University), Arben Gjukaj, (FIEK) Mimoza Mjekiqi–Shahini, Zef Dedaj (MINT), Mentor Ilazi (AES), Getoar Mjeku (ME), Ismail Baftijari (INSI), prof. dr hab. Ing. Leszek Dobrzanski dhe Uwe Nowitzki (RCK). Diskutimet u fokusuan në sfidat lokale dhe globale, përvetësimin e risive teknologjike, zbatimin e standardeve teknike dhe përgatitjen e manualeve e udhëzuesve për harmonizimin e kornizave vendore me ato të Bashkimit Evropian.
Në fjalën përmbyllëse, u shprehën mirënjohje të thella për të gjithë folësit, prezantuesit dhe pjesëmarrësit, duke shprehur bindjen se diskutimet e mbajtura do të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e lidhjes ndërmjet akademisë dhe industrisë. Ajo theksoi gjithashtu se kongresi do të synohet të shndërrohet në një traditë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, si një platformë ku do të trajtohen sfidat e kohës dhe do të fuqizohet bashkëpunimi ndërsektorial.\
Fotot e eventit