Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) në Universitetin e Prishtinës priti një delegacion prej 30 përfaqësuesish të Sigma Company, kompani që vepron në 30 lokacione në 7 shtete të Evropës, së bashku me njësitë e saj. Delegacioni u mirëprit nga stafi i fakultetit, nën udhëheqjen e dekanit të FIM-it, Prof. Dr. Mirlind Bruçi, prodekanes Arlinda A. Rrecaj, Arbnor Paiazitit dhe Arlinda Bresa.
Gjatë vizitës, mysafirët u njohën nga afër me aktivitetet më të fundit akademike dhe shkencore të FIM-it. Ata vizituan ambientet dhe laboratorët e fakultetit, ku po zhvillohen përgatitjet për mbajtjen e Kongresit Ndërkombëtar ICMe 2025, një ngjarje e rëndësishme që pritet të mbledhë studiues dhe profesionistë nga mbarë bota.
Sigma Company, si partner i FIM-it përmes Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) të nënshkruar, rikonfirmoi angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin e paraparë. Ky bashkëpunim ka për synim krijimin e mundësive konkrete për studentët dhe stafin akademik të të dyja palëve, duke forcuar lidhjet mes arsimit dhe industrisë.
Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve institucionale dhe shkëmbimit të përvojave, duke kontribuar në zhvillimin profesional dhe ngritjen e cilësisë së arsimit në fushën e inxhinierisë mekanike.

