Në kuadër të kampanjës “Çka mësoni me mua në FIM?”, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Prof. Dr. Mirlind Bruçi, priti sot në zyrën e tij nxënësit e Gjimnazit të Specializuar Matematikor të Prishtinës, të shoqëruar nga profesoresha e tyre e matematikës, Prof. Fitore Abdullahu.
Gjatë takimit, nxënësit u njoftuan nga afër me programet studimore që ofron Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, kompetencat dhe shkathtësitë profesionale që mund të fitohen gjatë studimeve, si dhe mundësitë që hapen për një karrierë të suksesshme në fushën e inxhinierisë dhe profesioneve të ndërlidhura.
Dekani Bruçi theksoi rëndësinë që FIM i kushton lidhjes së ngushtë ndërmjet teorisë dhe praktikës, duke përgatitur kuadro profesionale të afta për të kontribuar në zhvillimin teknologjik dhe ekonomik të vendit.
Në kuadër të vizitës, nxënësit u zotuan se do të marrin pjesë me një prezantim të një modeli matematikor në Konferencën Ndërkombëtare të Inxhinierisë Mekanike – ICME 2025, e cila do të mbahet më 10 dhe 11 Shtator 2025.
