Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) i Universitetit të Prishtinës dhe Dogana e Kosovës, me datë 28 Gusht 2025, në zyren e Drejtorisë së Doganave të Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në fushat teknike dhe profesionale.
Kjo marrëveshje strategjike, e nënshkruar nga Prof. Mirlind Bruçi, Dekan i FIM-it, dhe z. Agron Llugaliu, Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, parasheh zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e ekspertizës teknike, kërkimit shkencor, praktikës profesionale dhe trajnimeve për ngritje kapacitetesh.
Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë:
-
Ofrim të ekspertizës teknike nga FIM në drejtimet e prodhimtarisë industriale, mekatronikës, termoenergjetikës, energjisë së ripërtëritshme, sistemit të transportit dhe dizajnit inxhinierik;
-
Krijim dhe zhvillim të projekteve të përbashkëta kërkimore dhe aplikative në përputhje me nevojat institucionale dhe trendët teknologjikë;
-
Angazhim të studentëve të FIM-it në praktika profesionale brenda strukturave teknike dhe operative të Doganës së Kosovës, me qëllim të përforcimit të kompetencave të tyre praktike;
-
Organizim të trajnimeve të specializuara për stafin doganor dhe akademik në fusha të avancuara të teknologjisë dhe inxhinierisë.
Përmes kësaj nisme, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike rikonfirmon përkushtimin për të qenë një aktor aktiv në zhvillimin teknologjik dhe profesional të vendit, ndërsa Dogana e Kosovës përfiton nga ekspertiza akademike dhe hulumtuese për të forcuar kapacitetet e saj institucionale


