FIM drejt bashkëpunimit me kompaninë ndërkombëtare Spicy Analytics

04 Qershor 2025
SHARE

Pasditen e djeshme, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM), Prof. Mirlind Bruçi, dhe Prodekanja, znj. Arlinda Alimehaj Rrecaj, pritën në një takim z. Bence Horvath, Chief Executive Officer i kompanisë ndërkombëtare Spicy Analytics, si dhe z. Orges Asllani, drejtor menaxhues i kompanisë dhe njëherësh i diplomuar në FIM.

Takimi kishte për synim vendosjen e bashkëpunimit institucional ndërmjet FIM dhe Spicy Analytics, përmes përgatitjes së një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU). Ky bashkëpunim parashikon inicimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore, integrimin e studentëve në praktika profesionale, shkëmbimin e njohurive ndërmjet stafit akademik dhe ekspertëve të industrisë, si dhe avancimin e kompetencave në fushat e shkencës së të dhënave, inteligjencës artificiale dhe zhvillimit të softuerit.

Spicy Analytics operon në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore (CEE), duke ofruar zgjidhje të personalizuara dhe të avancuara për sektorë të ndryshëm të industrisë. Një ndër fushat kryesore të ekspertizës së kompanisë është analiza e të dhënave në sektorin e energjisë, përmes zhvillimit të modeleve të sakta për parashikimin e konsumit/prodhimit, menaxhimin inteligjent të rrjetit, si dhe optimizimin e performancës së sistemeve komplekse. Zgjidhjet e tyre mbështeten në platforma të avancuara të përpunimit në kohë reale, duke fuqizuar vendimmarrjen dhe efikasitetin operativ të klientëve industrialë.

Ky bashkëpunim strategjik vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt krijimit të urave funksionale ndërmjet akademisë dhe sektorit privat, me synimin për të rritur ndikimin praktik të arsimit dhe kërkimit shkencor në zhvillimet teknologjike bashkëkohore.