Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike (FIM), profesor Mirlind Bruçi së bashku me prodekanen Arlinda Alimehaj Rrecaj dhe stafin e tij, u pritën sot në një takim nga kompania MUNDA. Takimi ishte organizuar nga menaxheri i industrisë inxhinierike, Kushtrim Grainca, menaxheri i cilësisë, Rilind Bislimi, si dhe shumë inxhinierë të diplomuar nga FIM, të cilët aktualisht zhvillojnë profesionin e tyre në këtë kompani.
Kompania "Munda", një nga kompanitë liderë të Tregut Premium gjerman në industrinë automobilistike, merret me zhvillimin dhe prodhimin e tapicerive dhe tekstileve për industrinë e automobilave. Investimi i kompanisë "Munda" në Kosovë pritet të sjellë jo vetëm hapjen e shumë vendeve të reja të punës, por edhe përvoja të vlefshme në fushën e tekstileve teknike, duke sjellë njohuri të avancuara për teknologjinë e ndriçimit të bazuar në LED. Ky investim pritet të krijojë mundësi inovative në këtë fushë.
Takimi ndërmjet dy palëve kishte për fokus shqyrtimin e mundësive për bashkëpunim në drejtim të krijimit të hapësirave për praktika dhe punësim të studentëve dhe të diplomuarve të FIM. Po ashtu, u diskutua edhe për përsosjen profesionale të studentëve, shkëmbimin e njohurive, si dhe zhvillimin e inovacioneve teknologjike.
