Nënshkruhet Marrëveshje Bashkëpunimi midis Fakulteteve të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës

27 Janar 2025
SHARE

Në fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës, me datë 24 Janar 2025, në një mbledhje të përbashkët, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Marrëveshja ndërinstitucionale e cila mblodhi në një tryezë të dy këshillat e fakulteteve, synon fuqizimin e përbashkët akademik e sistemor, duke u mbështetur në:

-Caktimin e objektivave drejt përsosjes dhe unifikimit të planeve dhe programeve mësimore për nivelet Bachelor dhe Master si dhe mbështetjes me planet dhe programet mësimore për nivelin e Doktoratës;

-Hartimin dhe zbatimin të projekteve të përbashkëta kombëtare dhe ndërkombëtare;

-Shkëmbime të studentëve dhe stafit akademik/administrativ;

-Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, debate, kongrese, simpoziume, workshop-e në fushën e inxhinierisë mekanike dhe zhvillimit teknologjik;

-Pjesëmarrjen në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare si Erasmus+, Horizon etj;

-Përdorimin e literaturës shkencore dhe platformave online.

Nga FIM-UP marrëveshja u nënshkrua nga Dekani, Prof. dr. Mirlind Bruçi dhe nga FIM-UPT u nënshkrua nga Prof.dr. Genti Guxho.

Ky nënshkrim i marrëveshjes pasoi me diskutimet e partnerëve kryesorë lidhur me bashkëpunimin drejt organizimit të Kongresit të synuar Ndërkombëtar të Inxhinierisë Mekanike -ICME 2025, ngjarje kjo e cila pritet të mbahet në gjysmën e dytë të vitit 2025.

Pikat kryesore të diskutimit ishin:

  • Qëllimi dhe vizioni i kongresit si ngjarje e rëndësishme e cila do të mbledhë në një vend akademikët, studiuesit dhe profesionistët ndërkombëtarë, për të prezantuar dhe shkëmbyer të arriturat shkencore në inxhinieri mekanike.
  • Përcaktimi i tematikave kryesore dhe strukturimi i tematikave në sesione të ndryshme,
  • Krijimi i strukturës organizative të kongresit, në kuadër të së cilës u themeluan trupat përgjegjës, si: presidenti me zëvendës presidentët, komiteti shkencor, komiteti organizativ, komiteti këshillues, komiteti për diversitet, etj.
  • Prezantimi i platformës elektronike me afatet kohore të bashkëngjitjes së artikujve shkencor, politikave të publikimit, ndërkombëtarizimi, të drejtave të autorësisë etj.

Përfundimisht, palët u  zotuan për një koordinim ndërinstitucional për të monitoruar progresin dhe detajet që do të dalin gjatë organizimit të kongresit.